Sikur të mos mjaftonte reaksioni bërthamor dhe rrezatimi radioaktiv, punëtoret në centralin e Fukushimës gjetën një bombë të pashpërthyer nga Lufta e Dytë Botërore.
Arma 89 centimetra e gjatë mendohet se është lëshuar nga një avion amerikan gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ajo u gjet gjatë punimeve për ndërtimin e një parkingu makinash në centralin bërthamor të Fukushimës, ku ka nisur puna 40-vjeçare për çmontimin dhe eliminimin e tij të plotë.
Dhjetëra mijëra njerëz braktisën zonën rreth Fukushimës, pas shkrirjes së reaktorit që pasoi tërmetin dhe tsunamin e vitit 2011, përcjell tch.
Ky incident ishte aksidenti më serioz bërthamor pas atij të Çernobilit në vitin 1986.
Kompania “Tepko” që menaxhon Fukushimën tha se puna u ndërpre menjëherë pas gjetjes së bombës dhe rreth saj është ngritur një perimetër sigurie.
Në Japoni nuk është e pazakontë të gjenden bomba të pashpërthyera edhe 70 vite pas Luftës së Dytë Botërore.
Fukushima ishte dikur bazë ushtarake dhe rrjedhimisht një objektiv kryesor i ushtrisë amerikane.