Site icon Telegrafi

Fukushima dhe dilema bërthamore sot

Ende sot bota është në dilemën 25-vjeçare: “Energjia bërthamore rrezik” apo “energjia bërthamore zgjidhje”? Ngjarja që ndikoi më shumë në këtë debat ndodhi 10 vjet më parë. Më 11 mars 2011, në Paqësor, ndodhi një tërmet me magnitudë 9.1, një nga katër tërmetet e vetme me magnitudë mbi të nëntën që janë regjistruar në botë.

Pak orë më pas, Japoninë e goditi një cunam i cili cilësohet si fatkeqësia natyrore me dëmin më të madh të drejtpërdrejtë ekonomik në histori: plot 200 miliardë dollarë. Bilanci i tij tragjik përfshiu 22,500 viktima në njerëz, mbi 100 mijë shtëpi të rrafshuara dhe dëmtimin e jetëve të disa dhjetëra miliona njerëzve të tjerë… E, megjithatë, ai cunam mbahet mend për një fakt tjetër: aksidentin bërthamor të Fukushimës që ai shkaktoi.

Ende sot analizohet vetë aksidenti dhe ajo që pasoi. Çfarë ndodhi?

Uji i furishëm i cunamit ia ndërpreu centralit bërthamor furnizimin me energji nga rrjeti kombëtar, dhe po ashtu nxori jashtë funksionit gjeneratorët e tij të emergjencës, sepse përmbyti bunkerët nëntokësorë ku ata ishin të instaluar. Kjo bëri që centrali të mos kishte energji për të ftohur bërthamat e reaktorëve të tij dhe nga mbinxehja lënda radioaktive në to filloi të shkrijë.

Për shkak të zjarrit bërthamor, shpërthimeve dhe rrezatimit të lartë, themelet e strukturës së centralit u shkrinë dhe u destabilizuan. Rreziku u nënvlerësua fillimisht dhe u klasifikua si aksident i nivelit 4, por shpërthimet një nga një në reaktorët e centralit vazhduan disa ditë me radhë, dhe një muaj më pas aksidenti u klasifikua në nivelin 7, më i larti në shkallëzimin ndërkombëtar dhe i arritur më parë vetëm nga aksidenti i tmerrshëm i Çernobilit (1986)

…Duhej pritur nëntori 2011, që më në fund centrali i Fukushimës të stabilizohej dhe të nxirrej nga alarmi i rrezikut. Numri zyrtar i viktimave si “aksidente në punë” ishte zero nga personeli gjatë aksidentit dhe gjashtë punonjës të vdekur pak muaj më vonë nga kanceri i mushkërive. Por, të dhëna alternative dëshmojnë se nga 160 mijë refugjatë banorë të detyruar të evakuohen nga rajoni, rreth 2,300 patën vdekje të parakohshme dhe rrjedhimisht mund të kategorizohen si vdekje të lidhura me aksidentin…

Hetimi parlamentar një vit më pas konkludoi se aksidenti nuk ishte faj i vetë centralit, por i menaxhimit të tij. Më konkretisht: “Aksidenti është rezultat i përplasjes së kompetencave midis Qeverisë dhe agjencive rregullatore nga njëra anë dhe operatorit të centralit nga ana tjetër, si edhe e një mungese menaxhimi nga të gjitha këto instanca”.

Pra, teknologjia bërthamore u amnistua. Por, ama, efekti psikologjik rezultoi i madh…

Ende pa kuptuar se ku qëndronte faji apo nëse teknologjia vetë kishte problem apo jo, pas Fukushimës opinioni publik pësoi kthim mbrapa në ndjenjat antibërthamore të kohës së Çernobilit. Paniku dhe alarmi shpërthyen në botë. Në të gjitha vendet e zhvilluara të botës u ngritën komisione hetimore që shtruan pyetjen: “A duhet të vazhdojmë më programin pro-berthamor?”.

Shumë vende iu përgjigjën “po” dhe disa të tjera “jo”. Gjermania ngriu menjëherë ndërtimin e centraleve të veta bërthamore. Zvicra ndaloi ndërtimin e centraleve të reja. Italia rikonfirmoi politikën e vet anti-bërthamore. Por, më kryesorja, ambientalistët, në gjithë botën, u rikthyen në qëndrimin e vet anti-bërthamor të post-Cernobilit. Pozicioni i ambientalistëve kishte ndryshuar disa herë në 35 vitet e fundit. Pozicioni i tyre ka qenë totalisht “anti-bërthamor” që prej Cernobilit në 1986 dhe rezultati më i madh i këtij pozicionimi ishte referendumi në Itali që ndaloi teknologjinë bërthamore në këtë vend. Por, rreth 10 vjet më pas, kur shpërtheu kriza klimatike, ambientalistët teknicienë kaluan në pozicionin “pro bërthamor”. Ndryshimet klimatike u cilësuan atëherë si “kërcënimi më i madh joushtarak me të cilin është përballur ndonjëherë njerëzimi”. Për të zgjidhur këtë krizë u tha se njerëzimit i duhet të dalë nga përdorimi i qymyrit dhe naftës, sepse emetojnë gaze serrë.

Energjia bërthamore u gjet nga shumë raporte ndërkombëtare, edhe me pjesëmarrjen e ambientalistëve, si “energji miqësore me klimën”. Ajo u përllogarit si energjia me emetimet serrë më të ulëta për njësi energjie të prodhuar, madje më të ulëta edhe se energjia diellore (përllogaritur në LCA – analiza e ciklit jetësor të teknologjisë). Për më tepër, teknologjia bërthamore evoluoi edhe drejt asaj që u quajt “brezi i tretë” dhe që garantonte siguri nga tërmetet, nga incidentet brenda centralit dhe nga terrorizmi. Prandaj, edhe vetë opinioni publik filloi të pranonte idenë se energjia bërthamore ishte një alternativë përballë një rreziku më të madh që ishin ndryshimet klimatike.

Në vijim të këtij ndryshimi të opinionit publik, programet kombëtare të ndërtimit të centraleve bërthamore u konsoliduan në të gjitha vendet e zhvilluara të botës. Mes tyre filluan edhe disa iniciativa rajonale, siç ishte ajo e Shqipërisë, Malit të Zi dhe ndoshta Kroacisë, që filloi të diskutohej në parim, për të ndërtuar një central bërthamor të përbashkët.

Gjithçka, pra, ishte pro, deri sa ndodhi Fukushima. Fukushima ishte një tronditje, sidomos sepse ndodhi në Japoni, në vendin me teknologji dhe disiplinë teknike më të lartë në botë. Që atëherë opinioni ka mbetur në vendnumëro, përgjithësisht “kundër”.

Për shkak të ndjeshmërisë së opinionit publik, pas Fukushimës as raportet e OKB-së për ndryshimet klimatike nuk e patën guximin që kishin më parë që të sugjerojnë hapur energjinë bërthamore si “energji miqësore me klimën”… Veçse sot bota është në një stad tëri angazhimesh ndërkombëtare dhe gjendet mes dy vektorësh shumë të rëndësishëm dhe shumë të fortë kundërshtues me njëri-tjetrin.

Bota ka një Marrëveshje për Klimën që prej vitit 2015, e cila detyron vendet që të dalin nga varësia ndaj qymyrit dhe naftës brenda vitit 2030. Por, qymyri dhe nafta japin 66 për qind të energjisë së botës sot… Pra, ne duhet të shkojmë gradualisht drejt minus 66 për qind energji… Nga ana tjetër, që prej vitit 2015, bota ka edhe një marrëveshje ndërkombëtare për “SDG – objektiva për zhvillim të qëndrueshëm”, të cilët detyrojnë botën që të garantojë energji për zhvillim për të gjitha vendet, përfshirë edhe vendet e varfra. Dhe, nevoja botërore për energji sot rritet jo pak, por 2,3 për qind cdo vit. Pra, kemi kontradiktë: duam energji për zhvillim, por nuk e duam nga qymyri dhe nafta për shkak të ndryshimeve klimatike.

Përgjigjja mund të ishte “energjia diellore dhe e erës”, por edhe pse kostoja e energjisë diellore vazhdon të ulet çdo vit e më shumë si rrjedhim i përparimit të teknologjisë, energjia e ripërtëritshme ka ende një rritje vjetore të papërfillshme në botë. Kjo është arsyeja se pse ambientalistët teknicienë dhe jo populistë, po e rishohin energjinë bërthamore sërish si një zgjidhje. Si një zgjidhje që ka nevojë për rithemelim.

Aktet rregullatore duhen ribërë dhe agjencitë rregullatore duhen forcuar. Pushteti i tyre mbi operatorët e centraleve bërthamore duhet ngritur në nivel absolutist. Energjia bërthamore, pra, nuk duhet fshirë nga opsionet, por, ama, duhet rregulluar më mirë dhe më fort. Në vijim ajo mund të përdoret. Sepse, nëse ne nuk do të zgjidhim dilemën se “cili burim i fortë energjie do të zëvendësojë qymyrin dhe naftën”, pra, cila energji do të konsiderohet si “miqësore me klimën” dhe kështu do të plotësojë nevojën e njerëzimit me energji, bota rrezikon të shkojë në një mes-shekull me klimë të ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme, që do të shkaktojë fatkeqësi të jashtëzakonshme natyrore dhe krizë ushqimore tragjike.

Prandaj, 10 vjet pas Fukushimës, njerëzimi ka kthyer kokën pas dhe po nxjerr mësime. Bërthamori është tashmë sërish alternativë!

Exit mobile version