Telegrafi

I ftuan lojtarët pas ndeshjes, FICG po heton se a kishte kërcënime drejt tyre nga tifozët ultras të Milanit

Milani pësoi humbje nga Spezia në kuadër të xhiros së 35-të të Serie A, duke bërë hap të madh prapa në luftën për një vend në Ligën e Kampionëve.

Nga ana tjetër, nikoqirët morën tre pikët të rëndësishme në luftën për mbijetesë dhe përfunduan një seri prej tetë ndeshjesh pa fitore. Me këtë fitore ata mbetën në lojë për të qëndruar në ligë.

Pas një loje zhgënjyese, lojtarët dhe trajneri Stefano Pioli duhej të përballeshin me ultrasit e tyre. Ata u rreshtuan nën tribunë me tifozët më të zjarrtë që kishin udhëtuar për ndeshjen jashtë fushe.

Videoja u shpërnda në rrjetet sociale dhe Sky Sports Italia, shkruan se tifozët e Milanit janë nën hetim nga Federata Italiane e Futbollit.

Në video shihet një nga drejtuesit e tifozëve duke folur me lojtarët dhe trajnerin me tone të ngritura dhe shoqata kërkon të përcaktojë nëse bëhet fjalë për kërcënime apo thjesht inkurajim para ndeshjes së kthimit me Interin.

Kjo pasohet nga shikimi dhe dëgjimi i regjistrimeve. Nëse vërtetohet se tifozët kanë kërcënuar lojtarët, policia mund t’i ndjekë penalisht dhe klubi kërcënohet me gjobë./Telegrafi/