Telegrafi

FSSHK: Protestës së BSPK-së ti bashkohen edhe punëtorët e shëndetësisë

Këshilli Kombëtar i Federatës ka vlerësuar se dalja në protestë e punëtorëve shëndetësorë do të jetë në mbështetje të protestave në qendrat kryesore të Evropës, nën moton “Luftoni krizën, njeriu prioritet”.

“Pjesëmarrja në protestë do të jetë edhe shprehje e pakënaqësive të punëtorëve shëndetësorë me gjendjen e rëndë në shëndetësinë publike të vendit, ku ka: mungesa dhe mangësi në infrastrukturën ligjore, mungesë të investimeve kapitale, paga të ulëta të punëtorëve, mangësi në kontratat individuale të punës, mungesë të kushteve elementare për punë, hapësira të pamjaftueshme për punë dhe pacientë, mungesë të furnizimit me barna, mospagesë të orëve të kujdestarisë dhe mungesë të mundësive të barabarta për zhvillim profesional dhe ngritje në karrierë, e si pasojë e gjithë kësaj, edhe punëtorë të pamotivuar për punë. Si rezultat, kuptohet, mungon shërbimi i duhur ndaj qytetarëve tonë”.

Këshilli Kombëtar ka vlerësuar gjendja në shëndetësinë publike vazhdon të jetë e rëndë dhe zhvillimi i politikave favorizuese për sektorin privat shëndetësor gjatë gjithë periudhës së pasluftës nga 1999-ta, e ka sjell sektorin publik në gjendjen më të rëndë të tij, së paku në 40 vjetët e fundit.

“Prandaj, punëtorët shëndetësorë, sikurse të gjithë punëtorët e tjerë të Republikës së Kosovës, kanë shumë arsye për t’ju bashkëngjitur protestës së 16 majit”. /Telegrafi/