Telegrafi

FSSHK kërkon të bëhet pagesa e shtesave për punëtorët shëndetësor, ose do të ketë grevë të përgjithshme   

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës njoftoi se ka shqyrtuar gjendjen aktuale në shëndetësi gjatë muajve të pandemisë COVID-19, punën e punëtorëve shëndetësor si dhe shtesës në pagë prej 300.00 euro.

Anëtarët e Këshillit Drejtues ftuan Qeverinë e Republikës së Kosovës që të kryejnë pagesën e stimulimit shtesë për muajin korrik dhe gusht 2020 për të gjithë ata të cilët kanë mbetur pa e përfituar këtë stimulimi si dhe të kryejnë pagesën e shtesave në pagë bazuar në Ligjin Nr. 07/L-006 për Parandalim dhe luftimin e Pandemisë Covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës për muajt shtator dhe tetor me pagën e muajit tetor 2020.

“Në rast të mos realizimit të këtyre kërkesave të lartëpërmëndura Këshilli Drejtues do të merr vendim për Grevë të Përgjithshme në të gjitha insitiucionet shëndetësore. Këshilli Drejtues i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës gjithashtu i bën thirrje të gjitha partive politike që ti lënë më një anë agjendat e tyre dhe të bëhen bashkë e ta miratojnë Pakon Emergjente për Rimëkëmbje Ekonomike”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/