Telegrafi

FSSHK kërkon që në Projektbuxhetin për vitin 2021 të përfshihen shtesat për punonjësit shëndetësor

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, ka kërkuar nga grupet parlamentare që në Projektbuxhetin për vitin 2021 të përfshihen shtesat mbi pagën bazë për punonjësit shëndetësor.

FSSHK kështu ka vendosur në mbledhjen e mbajtur sot të Këshillit Drejtues, transmeton Telegrafi.

“Këshilli Drejtues në mbledhjen e mbajtur me datë 28.12.2020 ka marr Vendim që ti adresohet të gjitha grupeve parlamentare të të gjitha subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës me kërkesë që në leximin e dytë të Projektbuxhetit për vitin 2021 të përfshihen SHTESAT mbi pagë bazuar në Ligjin nr.07/L-006 për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e republikës së Kosovës, shtesa këto të cilat deri më tani i kanë gëzuar punëtorët shëndetësor të cilët gjatë gjithë kësaj kohe kanë punuar pa reshtur edhe përkundër humbjes së betejës së shumë prej tyre”, thuhet në njoftim.

Më tej në njoftim thuhet se “Këshilli Drejtues bën apel tek Grupet Parlamentare që ti lënë anash interesat e ngushta dhe njëherë të bëhen bashkë për punëtorët shëndetësor duke miratuar me buxhet shtesat të cilat do të vlejnë deri në përfundimin e Pandemisë COVID-19 respektivisht miratimit të Ligjit për Pagat në sektorin Publik”.

FSSHK thotë se “Mos miratimi shtesave të bazuara në Ligj mbetet përgjegjësi e të gjithë deputetëve pa dallim partie”./Telegrafi/