Site icon Telegrafi

FSSHC kërkon ri-sistemim në vende të punës dhe mbështetje financiare për shërbyesit civilë

Federata e Sindikatave të Shërbyesve Civilë (FSSHC) po kërkon nga Qeveria e Kosovës që ta rishikojë edhe njëherë mundësinë e mbështetjes financiare për shërbyesit civilë të prekur nga COVid-19, të cilët nuk janë të përfshirë në asnjë nga pakot e mbështetje apo ndihmës financiare.

Përmes një komunikate për medie ata kanë thënë se kanë analizuar situatën aktuale të shërbyesve civilë në institucionet e Republikës së Kosovës, respektivisht në disa ministri që janë fuzionuar, ku është konstatuar se shumë shërbyes civilë janë në presion të risistemit nëpër vendet të punës për shkak të mundësisë së dyfishimit të pozitave.

“FSSHC kërkon nga institucionet qendrore që të jenë më të vendosur dhe vigjilentë që të merren me sistemim, respektivisht të përcaktimit të pozitave të shërbyesve civilë sipas mundësive në bazë të profesioneve dhe akt-emërimeve”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

FSSHC shpreh gatishmërinë të kontribuojë për mundësitë sistemuese dhe akomoduese në bazë të rregullave ligjore në fuqi, duke respektuar të drejtat e punës në përputhje me procedurat administrative.

Po ashtu, FSSHC kërkon nga Qeveria e Kosovës që të vlerësojë përkushtimin e shërbyesve civilë në mbarëvajtjen e punës së institucioneve në rrethanat e krijuara nga Pandemia. Për këtë kërkojmë nga qeveria që ta rishikojë edhe njëherë mundësinë e mbështetjes financiare për shërbyesit civilë të prekur nga COVid-19, të cilët nuk janë të përfshirë në asnjë nga pakot e mbështetje apo ndihmës financiare.

“Për këtë, FSSHC kërkon që të ndahen mjete nga Qeveria e Kosovës për mbështetje financiare për këtë kategori, që kanë qenë të prekur dhe që do të preken nga Covid-19, për arsye se një pjesë e konsiderueshme e tyre janë në shërbim të qytetarëve dhe janë të ekspozuar ndaj kontakteve të drejtpërdrejta gjatë kryerjes së shërbimeve, ndërsa gjendja sociale dhe financiare e shërbyesve civilë është e papërballueshme për trajtimin e këtij virusi”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/

Exit mobile version