Site icon Telegrafi

​FSPK paralajmëron protestë, Azemi: Kërkojmë rritje të pagave për punëtorët teknikë

Federata Sindikale e Sektorit Privat të Kosovës ka shfaqur pakënaqësitë e saj në lidhje me siç u tha ‘zhvatjen e tenderëve dhe mos dhënien e pagave të premtuara nga qeveria për punëtorët e sektorit publiko-privat’.

Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi theksoi se problemet vijnë si pasojë e zvarritjes së tenderëve dhe mos dhënien e pagave të premtuara për punëtorët teknikë të fushës së shëndetësisë dhe atij arsimor në komunën e Prishtinës.

“Kemi pasur një zvarritje të madhe të tenderëve vetëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për shkak të procedurave burokratike, punëtorët i kanë humbur 290 mijë euro në vend që këto mjete ligjore duhet të jenë në pagat e punëtorëve të sigurimit fizikë dhe të punëtorëve teknikë. Për këto mjete asnjëherë nuk jemi duke e akuzuar, sepse kompanitë nuk janë fajtore por janë procedurat e prokurimit publik që në QKUK që nga nëntori. Paga e këtyre punëtorëve u dashtë sipas marrëveshjeve që i kemi 405 euro dhe sot e kësaj dite edhe në momentin që flasim punëtorët marrin një pagë prej 275 eurove”, ka thënë Azemi.

Kryetari i kësaj sindikate, Azemi thekson se shqetësim të madh kanë edhe për punëtorët e Universitetit të Prishtinës dhe ata të QKUK-së. Ai ka paralajmëruar grevë nëse nuk arrihet zgjidhja për dhënien e pagave të premtuara nga Qeveria edhe Komuna e Prishtinës.

“Në bazë të kërkesave të juaja kam kërkuar që të vijmë deri tek një përfundim që deri në fund të këtij muaji në QKUK nëse nuk paguhen pagat ashtu siç jemi marrë vesh, atëherë muaji qershor do të jetë muaji i protestave dhe i grevave sepse kjo vonesë prej 7 muajsh e që secili punëtor i ka humbur nga 800 euro për neve është shumë e madhe, sepse për neve edhe nëse 8 euro mungojnë, është një shumë e madhe”, ka shtuar Azemi.

Pakënaqësi patën edhe përfaqësuesit e shoqatave publiko-private të cilët kërkuan përmbushjen e premtimeve nga Qeveria Kurti.

Nga Shoqata e Sigurimit fizik në Universitetin e Prishtinës, Arsim Gjinovci thekson se fajin më të madh për pagat e ulëta e mban qeveria, pasi që sipas tij, nuk ka arritur t’i realizojë premtimet e dhëna për dhënien e pagave shtesë për këtë sektor.

“I kisha ftuar të gjithë bashkë të bëhemi dhe të mbajmë grevë se po e shohim që kjo qeveri vetëm ka dhënë premtime dhe asgjë nuk ka realizuar deri në këtë moment. Në fillim kanë dhënë shumë premtime dhe të gjithë e dimë se kurrfarë realizimi te ne nuk ka pas, kështu që i kisha propozuar nga gjysma e qershorit të hyjmë në grevë. Të bëhemi të gjithë bashkë të mos punojmë për këto paga, fundi i fundit të marrim edhe ne rrugën e mërgimit si shumë shokë këtu”, tha Xhinofci.

Edhe për përfaqësuesin e shoqatës së sigurimit fizik të QKUK-së, Hakif Sylejmani kërkoi rritje të pagave për punëtorët teknikë./KP

Exit mobile version