Kuvajti është shteti në të cilin Forca e Sigurisë së Kosovës do të shërbejë me mision paqeruajtës, përkrah ushtrisë amerikane.
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama ka konfirmuar për KosovaPress se marrëveshja është nënshkruar me shtetin e Kuvajtit dhe kontingjenti i Forcës do të nisë misionin në muajin mars të këtij viti, i cili pritet të zgjasë gjashtë muaj.
Rama tregon nëse do të ketë shtete të tjera partnere me të cilat FSK do të ndër veprojë përveç ushtrisë amerikane, e gjithashtu jep detaje për procedurat e përzgjedhjes së pjesëtarëve që do të shërbejnë në Kuvajt.
Iraku e Kuvajti ishin vendet në të cilat pritej të zbarkonte ushtria e re e Kosovës në mision e saj të parë paqeruajtës, por tashmë është konfirmuar se do të jetë ky i dyti ku një numër simbolik i pjesëtarëve të FSK-së do të shërbejnë.
Njësitë e FSK-së do të jenë pjesë e misionit të Gardës Kombëtare të Iowa-s.
“Jemi tash në fazën teknike të procedurave, qofshin administrative dhe që në mars do të kemi një numër, sado simbolik që të jetë, që do jenë krah ushtrisë amerikane, do të jenë në një mision paqeruajtës në Kuvajt. Jemi në procedurat finale të kompletimit të dokumentacioneve të të gjithë pjesëtarëve tanë që do të jenë pjesë e këtij misioni”, thotë komandanti i FSK-së, Rrahman Rama.
Ai ka treguar se përzgjedhja bëhet me pajtueshmëri me vendin partner dhe ushtrinë amerikane dhe personeli që udhëton caktohet mbi bazën e nevojës dhe kërkesave të tyre.
FSK ka mbajtur paraprakisht trajnime të përbashkëta dhe pjesëtarët e Forcës kanë kaluar kohë të gjatë me partnerët.
Pavarësisht rolit që kanë njësitë që do të marrin pjesë, nuk zbehet rëndësia dhe rrezikshmëria që ka një mision paqeruajtës.
Komandanti i FSK-së thotë se ka garë të madhe të pjesëtarëve të Forcës që kanë shprehur interesimin për një shërbim të tillë.
“Nuk ka ndonjë kriter të veçantë përveç personelit, qoftë oficerë apo nënoficerë, janë të edukuar në akademitë amerikane, që janë të ndërveprueshëm dhe nuk kemi pas problem në përzgjedhje, nganjëherë është problem të gjithë t’i përfshijmë se konkurrenca është e madhe dhe kush ka fat do të jenë pjesë, por është vetëm fillimi dhe ne do të kemi shumë aktivitete në të ardhmen, jo vetëm me ushtrinë amerikane”, thotë komandanti i FSK-së.
Gjeneral Rama thotë se FSK ka dëshmuar kapacitetet në kërkim-shpëtim, deminim, mbrojtje kimike atomike biologjike dhe kapacitete të tjera me të cilat i është ofruar vendeve partnere për të bashkëpunuar.
Ai pret që përveç misionit me ushtrinë amerikane, FSK të veprojë edhe përkrah ushtrive të tjera të botës në shërbime te tilla.
“Janë këto problemet politike që ndërlidhen me vendet anëtare të NATO-s për mosnjohjen nga disa shtete që janë anëtare të NATO-s, por ne kemi ofertuar të te gjithë partnerët, ka shtete që kanë shprehur gatishmërinë por janë disa procedura që duhen në të ardhmen por çka mund të them, në një farë forme, ne po e thyejmë akullin, ne jemi të gatshëm, kemi kapacitete, qoftë këto aktuale por edhe të tjera, qoftë me staf por edhe me pajisje dhe qëllimi ynë është të jemi të ndërveprueshëm me partnerët dhe ne e kemi ndërtuar atë standard”, deklaroi gjeneral Rama.
Shërbimi i FSK-së në mision paqeruajtës në botë po ndodh për herë të parë, e kjo po bëhet përkrah ushtrisë më të madhe në botë.
Vendimi për këtë është marrë nga Kuvendi i Kosovës me 92 vota “për” dhe asnjë “kundër” në janar të këtij viti. Kësaj i ka paraprirë vendimi i Qeverisë së Kosovës për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në misione paqeruajtëse me Gardën Kombëtare të Iowa-s, i marrë më 31 dhjetor 2020.