Site icon Telegrafi

FSK merr pjesë në stërvitjet ushtarake të NATO-s në Durrës

Foto: Arkiv

Forca e Sigurisë së Kosovës me me 330 ushtarë do të marrë pjesë në stërvitje ushtarake “Defender Europe 2021” të NATO-s, të cilat do të mbahen në Durrës.

Kështu ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Flamur Arifaj.

“Po mund ta konfirmojmë pjesëmarrjen e FSK-së në ushtrimet ‘Defender Europe 2021’ të cilat do të mbahen në 12 vende, e edhe në Kosovë, por me gjerësisht do te njoftoheni nesër dhe në ditët në vazhdim në lidhje me këto aktivitete”, deklaroi ai.

Ministria e Mbrojtjes më pas përmes një njoftimi ka bërë të ditur se Kosova për herë të parë do të jetë pjesëmarrëse në stërvitjen ushtarake më të madhe në rajon “Defender-Europe 21”.

“’DEFENDER-Europe 21’ është stërvitje vjetore e përmasave të mëdha ushtarake amerikane në Evropë dhe Afrikë, i përbashkët, shumëkombësh, i dizajnuar për të ndërtuar gatishmërinë dhe ndërveprimin ndërmjet ushtrisë amerikane, NATO-s dhe partnerëve tjerë. Me këtë rast, ushtarët e FSK-së radhiten përkrah ushtrive të shteteve anëtare të NATO-s nën udhëheqjen e partnerit strategjik Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftim.

Kosova do të jetë gjithashtu në mesin e 16 vendeve pritëse, me ç‘rast trupat e ushtrive të shteteve anëtare të NATO-s do të zbarkojnë në Kosovë, në mesin e tyre ushtarakë të ushtrisë Amerikane, pjesëtar të forcave nga Komanda Evropiane e SHBA si dhe Komanda Supreme Operacionale e NATO-s.

“Komanda e Lartë (HICON) dhe Audienca Sekondare do të jenë të vendosur në Aeroportin e Gjakovës, kurse Ushtrimi Fushor do të realizohet në Zonën e Trajnimit në “Baba i Bokës” në komunën e Gjakovës.

Validimin e kapaciteteve të këmbësorisë do t’a bëjë ekipi vlerësues i KDS në bashkëpunim me ekipin ushtarak amerikan të Brigadës të Ndihmës së Forcave të Sigurisë (Security Force Assistance Brigade- SFAB)|.

Pjesa kryesore e ushtrimit do të realizohet nga data 17 deri 29 maj 2021.

Për detajet e pjesëmarrjes së Kosovës në këtë ngjarje, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj së bashku me komandantin e FSK-së Gjenerallejtënant  Rrahman Rama do të mbajë konferencë për media, më 6 maj, 2021, duke filluar nga ora 14:30.

Ndryshe, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë sot se Defender Europe 2021″ është stërvitje e veçantë pasi shënon një ‘ngjitje’ të marrëdhënieve të Shqipërisë me SHBA-në dhe NATO-n.

Lexo po ashtu Nis 'Defender Europe 2021' në Durrës - stërvitja më e madhe ushtarake e NATO-s që prej Luftës së Dytë Botërore

“Kam bindjen se kjo stërvitje është shumë më tepër se sa një moment i rëndësishëm, i punës së përbashkët. Është pikë e rëndësishme në ngjitjen e mëtejshme të marrëdhënieve tona në pikën më të lartë. I vlerësojmë marrëdhëniet e shkëlqyera, fakti është se mund të jenë edhe më të shkëlqyera falë një besimi të madh, ndërveprimi reciprok. moment historik për ne, na mbush me krenari e përgjegjësi, do vazhdojmë të qëndrojmë besnikërisht krah jush, si një vend që nga pikëpamja numerike nuk ju ofrojmë shumë, por nga pikëpamja e vlerave që e bëjnë këtë aleancë të veçantë për botën tonë. Dëshirojmë të jemi gjithmonë e më të denjë, brenda kësaj aleance”, tha Rama.

Stërvitja ushtarake, e organizuar nga ushtria amerikane në Evropë dhe Afrikë, ku marrin pjesë rreth 28 mijë trupa nga 26 vende aleate dhe partnere, do të zhvillohet në 7 baza të ndryshme në Shqipëri.

“Defender Europe 2021” do të zgjasë deri më 9 qershor.

Shqipëria është një nga 16 vendet mirëpritëse në zhvillimin e kësaj stërvitjeje ushtarake. Forcat shqiptare do të përfaqësohen me rreth 1,000 ushtarë.

Ndërkohë 28,000 trupa shumëkombëshe do të kryejnë aktivitete pothuajse në të njëjtën kohë në më shumë se 30 zona trajnimi, të shtrira në 12 vende. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version