Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, gjatë qëndrimit të tij zyrtar në Halifax të Kanadasë, ku po merr pjesë në Forumin Ndërkombëtar për Siguri, u takua me senatorin John Mcain, nënsekretarin amerikan të Mbrojtjes, Brian McKeon, sekretarin e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, Michael Fallon, si dhe me sekretarin e Mbrojtjes së Parlamentit të Gjermanisë, Ralf Brauskiepe.
Sipas komunikatës nga Ministria për FSK-në, Demolli e falënderoi senatorin Mcain për mbështetjen e tij gjatë dy dekadave për Kosovën, si një nga zërat më të fuqishëm dhe më të palëkundur të angazhimit amerikan në Kosovë.
Nga ana e tij, senatori konfirmoi se po planifikon të vizitojë Kosovën e të konfirmojë se do të vazhdojë të jetë i përkushtuar ndaj angazhimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vizionin euroatlantik të shteteve të Evropës Juglindore.
Gjithashtu, ministrit Demolli në Halifax zhvilloi takim me nënsekretarin amerikan të Mbrojtjes Brian McKeon, ku mori pjesë në takimin e organizuar nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes, së bashku me ministrat tjerë të rajonit.
Demolli takoi edhe sekretarin e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, Michael Fallon, të cilin e falënderoi për mbështetjen e jashtëzakonshme ndaj Republikës së Kosovës dhe FSK-së në veçanti. Fallon e përgëzoi ministrin Demolli për sukseset e kadetëve të FSK-së, sidomos për medaljen e artë në “Cambrian Patrol”, si dhe konfirmoi mbështetjen e palëkundur të Mbretërisë së Bashkuar në të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon FSK dhe Republika e Kosovës.
Ndërkaq, në një takim me Sekretarin Parlamentar për Mbrojtje Ralf Brauskiepe, i cili në këtë forum përfaqësonte ministren e Mbrojtjes të Gjermanisë, u diskutuan aspektet dypalëshe të bashkëpunimit.