Telegrafi

FSK kryen aktivitete të përbashkëta ushtarake me Gradën Kombëtare të Iowa-s

Forca e Sigurisë së Kosovës ka kryer aktivitete të përbashkëta ushtarake me Gradën Kombëtare të Iowa-s.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi në faqen zyrtare të FSK-së, ku thuhet se  pjesë e njësive të Gardës Kombëtare të Iowa-s, ishin edhe gjashtë pjesëtar të Regjimentit të parë të Forcave Tokësore.

“Forca e Sigurisë së Kosovës në kuadër të partneritetit me Gardën Kombëtare të Iowa, ishte pjesë në Ditën e Vizitoreve të Shquar (Distinguished Visitors Day) e JRTC (Joint Readiness Training Center) Training Rotation, Fort Johnson, Louisiana, ShBA, ku pjesë e njësive të Gardës Kombëtare të Iowa-s, ishin edhe gjashtë pjesëtar të Regjimentit të parë të Forcave Tokësore (R1K), të cilët ndanë përvojat  e tyre në këtë aktivitet të rëndësishëm të Ushtrisë Amerikane”, thuhet në njoftim.

FSK thekson se R1K është i binjakëzuar me Batalionin 133 te Këmbësorisë së Gardës Kombëtare të Iowa-s.

“Që nga viti 2022 dhe deri me tani janë realizuar aktivitete të ndryshme ushtarake në të dyja vendet  dhe ky ishte aktiviteti i radhës i cili thelloi edhe me tej bashkëpunimin ndërmjet dy njësive, e që do të vazhdoi me trajnime e aktivitetet tjera në të ardhmen”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/