Që nga dita e 5 marsit 2010, kur filloi zyrtarisht manifestimi i shënimit të 12 vjetorit tash më tradicional “Epopeja e UÇK” –së e cila po thuajse vazhdimisht është organizuar nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, e deri më sot, janë zhvilluar një seri komentesh e prononcimesh si nga Komanda e KFOR-it, zëdhënësi i NATO-s James Appathurai me komentet si; Veprimet e FSK-së, sinjale të gabuara, dhe së fundi të Komandantit të KFOR-it, gjenerali Markus Bentler, i cili edhe pse ishte hidhëruar goxha me veprimin e fundit, thekson se nuk do tw ketë ndëshkim për FSK–në, reagime këto si nga jashtë, po ashtu edhe nga brenda etj. Por çka në të vërtetë ka ndodhur dhe sa në të vërtetë janë a po mund të jenë shqetësuese këto veprime kohëve të fundit?.
Gjatë gjithë kësaj periudhe u dhanë mendime dhe analiza të ndryshme, nganjëherë vrulli i tyre tejkalonte konceptet mendore lidhur me çështjen që mendohej se ishte tepër me rrezik. Duke e analizuar komentet në vazhdimësi dhe shkrimin e z. Spahiut në veçanti, e konsideroj se më tepër ishte trajtim jo parimor dhe jo profesional dhe momental, kur flet për sovranitetin dhe mbrojtjen e tij me ato lloj arme. Një fakt duhet kuptuar se armët dekorative të Gardës nuk janë armë zjarri – operacionale, por janë armë “trofe" të dekoruara enkas për pjesëmarrje në aktivitete përkujtimore. Të tilla armë dekoruese janë përdorur që prej 11 vjetëve kur UÇK u transformua në TMK –në.
NATO -ja këtu ka qenë dhe në të kaluarën dhe ka monitoruar, madje ka qenë pjesë e paradave të TMK-së në aktivitet përkujtimore me të njëjtat "armë trofe" dhe asnjë herë nuk ka eskaluar situata si tani, edhe kur Kosova nuk kishte të definuar statusin e saj. Kurse tani dhe pse NATO ka qëndrim neutral, nuk konsiderohet vendim i pjekur, kur dihen raportet mes tyre. Në përgjithësi analiza është e konceptuar ne frymën e rifillimit dhe të normalizimit të raporteve mes tyre. Por të mos harrojmë se KFOR është garantuesi i tërësisë tokësore dhe ajrore të territorit të Kosovës dhe jo aktualisht FSK -ja. Konsideroj se situata më tepër është "reagim emocional" nga KFOR se sa vendim i baraspeshuar në gjithë kontekstin e të kaluarës dhe të tashmes sonë.
Gjithashtu Kosova edhe përkundër pranisë ushtarake dhe civile ndërkombëtare jo që vetëm i ka hije dhe duhet të mësohet të sillet si e pavarur, sovrane dhe e përgjegjshme, sepse e tillë është si subjekt dhe partner ndërkombëtar. E jo siç potencon z. Spahiu nuk është fort e hijshme të shes poza si shtet i pavarur e sovran. Republika e Kosovës, pavarësisht specifikave aktuale, ajo si e tillë ka të gjithë atributet shtetërore si një lindje dhe zhvillim i suksesshëm teorik dhe praktik.
Edhe reagimet e fundit shpresoj të jenë të fundit në këtë situatë, në fakt reagimi i Komandanti i KFOR-it, gjenerali Markus Bentler se gjoja është hidhëruar goxha me veprimin e fundit të Gardës së Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), si jo doktrinare dhe jo profesionale ushtarake prej një gjenerali të karrierës nga deklarata e tij. Institucioni i tij KFOR- i, shumë i respektuar, niveli i lartë përfaqësues dhe ai personalisht nuk duhet të merren me veprime deklarative të tilla e të hidhërohen e as te gëzohen. Çështja ka të bëjë me interpretimin e veprimit korrekt, ose jo korrekt të niveleve përgjegjëse institucionale, sipas marrëveshjeve paraprake qe ka pasur pas 17 shkurtit 2008 mes KFOR-i dhe FSK-së.
E kam shprehur edhe me herët dhe po e ritheksoj se e gjithë kjo "lojë" e pa nevojshme, gjoja po të suspendoj aktivitetin mbështetës, trajnimet etj, janë vetëm tregimi i autoritetit superior, dhe jo gjë më shumë. Vërejtjet sipas tyre nëse vërtet kanë penguar pikëpamjet e KFOR-it, do të duheshin të ishin në nivel si për nga forma, përmbajtja dhe shprehimisht, rekomanduese – këshilluese.
Së fundi NATO dhe KFOR do të vazhdojnë menjëherë rivendosjen, zhbllokimin e misionit dhe normalizimin e vazhdimin e detyrave dhe obligimeve që dalin nga domosdoshmëria e arsyeshmërisë së vet NATO-s që FSK-ja të jetë treguesi më i mirë i suksesit, dhe jo i dështimit të saj.
(Autori është absolvent në Universitetin Iliria, në drejtimin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë)