Site icon Telegrafi

FSK-ja me aktivitete të shumta shënoi “Ditën e Forcës”

Forca e Sigurisë së Kosovës e shënoi sot “Ditën e Forcës” me manifestimin qendror në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, si dhe me aktivitete të tjera si “Ditë e Hapur” në të gjitha kazermat e saj, në Kosovë.

Manifestimi qendror u mbajt në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, në të cilën morën pjesë drejtuesit më të lartë të FSK-së, ku së bashku me ushtarë, nënoficerë, oficerë të FSK-së, të NALT-it, ishin pjesë e saj edhe nxënës të shkollave fillore dhe të mesme të Kosovës, qytetarë, deputet, personalitete politike, arsimore dhe kulturore të Kosovës, familjarë të dëshmorëve, si dhe përfaqësues diplomatikë të akredituar në Republikën e Kosovës.

Me këtë rast, ministri Rrustem Berisha dhe zyrtarë të tjerë bënë homazhe dhe vendosen Obeliskun e Lirisë, dhe më pastaj vizituan të gjitha njësitet e FSK-së, ku takuan nxënësit dhe qytetarët e shumtë.

Ministri Berisha tha se FSK është institucioni më i besueshëm në vend.

“Gjatë këtij viti kemi shumë të arritura, ky është edhe një vit, ku FSK-ja ka pasur progres të jashtëzakonshëm në ngritjen e kapaciteteve aktuale, avancimin e bashkëpunimit rajonal dhe partneritetit tonë strategjik. Të gjitha këto rezultate, janë bazë për një mandat të ri të FSK-së. Unë shfrytëzoj rastin t’i falënderoj të gjithë pjesëtarët e FSK-së, për përkushtim, punën e palodhur, për disiplinën, dhe për prezantimin e shkëlqyeshëm që po e bëjmë në mandatin aktual”, tha ai.

Berisha shprehu besimin se muaji dhjetor do të jetë muaji i tranzicionit. “Ashtu siç e kemi deklaruar, leximi i parë i tri projektligjeve ka përfunduar, do të jetë edhe një procedurë e rregullt parlamentare dhe ne shpresojmë se muaji dhjetor të jetë muaji i miratimit të tri ligjeve të tranzicionit të FSK-së”.

Ndërsa, komandanti i Forcave Tokësore, gjeneral brigade Enver Cikaqi tha se Forca e Sigurisë së Kosovës ka krijuar kapacitete e veta në këtë mandat, dhe është e gatshme që t’i përdorë edhe në mandatin e ardhshëm.

“Me plotë bindjen them se ne jemi të gatshëm të marrim përgjegjësi dhe detyra të reja në të ardhmen”, tha ai.

Manifestimi “Dita e Hapur” me rastin e “Ditës së Forcës” u shënua në të gjitha kazermat e FSK-së, si në: Prishtinë, Ferizaj, Mitrovicë, Gjilan, Prizren, Istog dhe Pomozotin, ku qytetarë të shumtë patën mundësinë që të shohin nga afër pajisjet, demonstrimet pjesëtarëve të FSK-së. /Telegrafi/

 

Exit mobile version