Ministria e Mbrojtjes sot ka shpall konkursin për rekrutimin e 612 ushtarëve aktiv dhe 388 pjesëtarëve të komponentës rezervë të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK).
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Ibrahim Shala.
Sipas tij, ministria e Mbrojtjes ka njoftuar të gjithë të rinjtë e të rejat se mundësia e konkurrimit është për të gjithë të interesuarit për aplikim nga mosha 18 – 25 vjeç, shtetas të Republikës së Kosovës.
“Për procedurat e aplikimit dhe përzgjedhjes, procedurat e testimit dhe kriteret, si dhe dokumentet e kërkuara për aplikim, ju njoftojmë në shpallje të konkursit që është në linkun: https://mod.rks-gov.net/konkurs-per-rekrutimin-e…/. Kandidatët plotësojnë formularin e aplikimit online në linkun: https://rekrutimi.fsk-rks.org/Apply dhe bashkëngjisin të gjitha dokumentet tjera të kërkuara nga ky formular”, ka thënë Shala.
Ai gjithashtu tregoi se konkursi është i hapur prej 15.12.2022 deri më 15.01.2023.
“Ministria e Mbrojtjes, të gjithë të interesuarve, ju garanton proces të drejtë dhe transparent, në zbatueshmëri të plotë të procedurave dhe kritereve ku do të zgjidhen më të mirët prej më të mirëve.
Ministria e Mbrojtjes mirëpret aplikacione të të gjithëve me inkurajim të vajzave e grave dhe të gjithë të rinjve e të rejave pa dallim nga përkatësia e tyre etnike”, tha ndër të tjera Shala për Telegrafin.
Sipas konkursit, më poshtë i keni kriteret që duhet t’i plotësojë çdo kandidat:
- Të jetë shtetas i Republikës së Kosovës;
- Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
- Të ketë të përfunduar shkollën e mesme;
- Të ketë aftësi të nevojshme shëndetësore dhe fizike për vendin e shërbimit;
- Të mos jetë i dënuar për vepra penale me vendim të formës së prerë;
- Të ketë figurë të pastër dhe të mos ketë probleme dëbimi nga shtetet tjera;
- Të jetë i moshës 18 – 25 vjeç në datën e aplikimit;
- Të ketë gjatësi trupore jo më pak se 165 cm për meshkuj dhe 160 cm për femra;
- Të mos kenë tatuazhe në fytyrë, qafë dhe parakrah nga pjesa e bicepsit e deri te gishtat e dorës duke përfshirë edhe pirsingun. (Në rast përzgjedhjeje, kandidatët janë të obliguar të bëjnë heqjen e tyre paraprakisht në afatin kohor deri në trajnimin bazik, në të kundërtën do të diskualifikohen). /Telegrafi/