Telegrafi

FSK e shpëton një fëmijë dy vjeç në Turqi, po bëjnë përpjekje të shpëtojnë edhe nënën

Forcat e Sigurisë së Kosovës e kanë shpëtuar një fëmijë 2 vjeç në Turqi, derisa ende po mundohen ta shpëtojnë edhe nënën e vajzës së vogël e cila është gjallë nën rrënojat e shkaktuara nga tërmeti.

Lajmin për RTV Dukagjinin e ka konfirmuar shef i Komunikimit Strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes, gjenerali Sefer Isufi.

“Nga orët e hershme të mëngjesit kontingjenti ynë është kyçur në operacionet e shpëtimit dhe nga informatat e fundit që kemi këta vetëm se kanë arritur të detektojnë disa nga njerëzit e mbetur nën rrënoja. Detektimi është shumë i rëndësishëm në këso raste pasi në momentin kur identifikuohet, i mbijetuari mund të nxirët shumë më lehtë”, ka deklaruar Isufi.

Por lajmi më vonë është konfirmuar zyrtarisht edhe nga FSK përmes një njoftimi për media.

Lexo po ashtu Mehaj publikon pamje nga operacioni i kërkim-shpëtimit të FSK-së në Turqi

“Ekipet e Kërkim-Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës që nga mëngjesi janë duke operuar me kapacitete të plota në Hatay të Turqisë, në orët e mbrëmjes kanë arritur të nxjerrin një fëmijë të moshës dy vjeçare, dhe janë duke bërë përpjekjet maksimale për të shpëtuar edhe nënën e saj që është e ngujuar në rrënoja”, thuhet në njoftim.

“Ekipet tona gjatë operacionit që janë duke realizuar kanë hasur në viktima në objektet e kollapsuara, por prioritet është duke ju dhënë atyre vendeve ku janë detektuar persona të gjallë, dhe të gjitha ekipet e shpëtimit nga mbarë bota kanë dhënë prioritet për të shpëtuar sa më shumë jetë”, thuhet tutje në njoftimin e FSK-së.

Tërmeti vdekjeprurës në Turqi dhe Siri ka marrë jetën e më shumë se 11 mijë personave.

Ekipet e shpëtimit atje janë duke e pasur problem identifikimin dhe shpëtimin e të mbijetuarve për shkak të motit të papërshtatshëm që po mbizotëron në ato zona./Telegrafi/