Telegrafi

FSK dhe KFOR-i amerikan mobilizohen për shuarjen e zjarreve në Kosovë

Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se është angazhuar bashkë me KFOR-in amerikan për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve që kanë kapluar disa vende në Kosovë.

“Forca e Sigurisë së Kosovës vazhdon të jetë e angazhuar me personel dhe pajisje në shuarjen e zjarreve që kanë përfshirë zonën e fshatit Shtupeq dhe komunën e Suharekës si pasojë e temperaturave të larta qe po mbizotërojnë në vendin tonë”, njofton FSK përmes një njoftimi në Facebook.

FSK njofton se gjatë këtyre ditëve KFOR-i amerikan ka kryer disa intervenime nga ajri për shuarjen e vatrave të zjarrit.

“Togu i Gatishmërisë në Operacion përmes Qendrës Operative te Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së ka pasur një koordinim dhe bashkëpunim të mirë edhe me ekipet e KFOR-it Amerikan, të cilët gjatë këtyre ditëve kryen një serë intervenimesh nga ajri, duke e lehtësuar lokalizimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit”.

“Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme të mbështes autoritetet civile me qëllim të minimizimit të rrezikut dhe lehtësimit të pasojave të shkaktuara nga situata me zjarret”, thuhet tutje në njoftim, përcjell Telegrafi.

Kujtojmë nga dita e djeshme vatra zjarri janë regjistruar në disa rajone të Kosovës por që për fat të mirë kanë mundur të lokalizohen gjatë orëve të natës.

Lexo po ashtu ​Zjarri përfshinë edhe Oshlakun, kërkohet ndihma e FSK-së dhe KFOR-it

Sot vatra zjarri janë rishfaqur përsëri në Komunën e Suharekës dhe Prizrenit./Telegrafi/