Site icon Telegrafi

FSK i bashkohet aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”

Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha në prag të fillimit të aksionit gjithëkombëtar ”Ta pastrojmë Kosovën’’ konfirmoi se do t’i bashkohet nesër kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, në ditën e fillimit të aksionit.

Kjo u bë e ditur sot gjatë takimit që ministri Berisha zhvilloi në ministri, me Albena Reshitaj, udhëheqëse  e Task Forcës së Qeverisë për pastrimin e Kosovës.

“Në takimin e ministrit Berisha dhe zonjës Reshitaj u bisedua edhe për bashkëpunimin, bashkërendimin dhe koordinimin ndërinstitucional të institucioneve dhe agjencive, nga ato qendrore deri në nivel lokal, e sidomos në bashkërendimin e aktiviteteve sa i përket gatishmërisë dhe përgatitjeve që ka zhvilluar Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës, si pjesëmarrëse direkte në operacione pastrimi me kapacitetet e saja operacionale, me personel  dhe makineri  teknike”, thuhet në njoftimin për media të MFSK-së.

Gjithashtu, ministri Berisha dhe Reshitaj thuhet të kenë biseduar edhe për ditën e fillimit të aksionit, që do të jetë data 15 shtator, duke filluar nga ora 10:00, dhe do të zgjasë deri më 15 dhjetor 2018.

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant, Rrahman Rama pas vendimit të ministrit Rrustem Berisha, ka urdhëruar të gjitha njësitë për angazhim sipas planit të përgatitur më parë. /Telegrafi/

Exit mobile version