Telegrafi

Fshirja e vijave të bardha nëpër rrugët e Prizrenit problem për qytetarët – rishenjëzimi i vendkalimeve i domosdoshëm

Për të zbatuar rregullat e qarkullimit në rrugë në radhë të parë është e nevojshme sinjalistika rrugore.

Por, në qytetin e Prizrenit, në shumë pjesë mungon sinjalistika rrugore, ndërsa vijat e bardha në shumë rrugë janë fshirë.

Prizreni është një nga qytetet më të ngarkuara për sa i përket trafikut dhe ky problem në komunikacion po shqetëson qytetarët, por njëkohësisht edhe organet e sigurisë, shkruan Telegrafi.

Qytetarët janë shprehur se rishenjëzimi i vendkalimeve për këmbësorë është i domosdoshëm, në mënyrë që të lehtësojë qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve në komunikacion dhe të ngrit nivelin e sigurisë së qytetarëve.

Raportime të shumta nga qytetarët lidhur me vonesën në shenjëzimin e rrugëve kanë marrë edhe Policia.

U.d. i komandantit të Njësitit Rajonal të Trafikut Rrugor në Prizren, Arben Elshani, tha se deri më tani nuk kanë pasur ndonjë aksident të evidentuar si shkak i mungesës së sinjalizimit në komunikacion.

“Qytetarët janë të vetëdijshëm për këtë problem dhe tregohen më të kujdesshëm në respektimin e rregullave të mirësjelljes në komunikacion. Mungesa e sinjalistikës për neve është shqetësuese se kjo ka të bëjë me sigurinë dhe ndikon negativisht…”, ka deklaruar Elshani.

Ai shtoi se si Polici kanë përcjellë një numër të shkresave në organet komunale për zgjidhjen e kësaj çështje.

Ndërkaq, drejtori i Shërbimeve Publike në Prizren, Çelë Lamaj, ka thënë se janë në pritje të finalizimit të çështjes së tenderimit lidhur me shenjëzimin horizontal dhe vertikal në komunikacion të qytetit dërguar OShP-së.

“Kemi vizituar disa hapësira ku ka mungesë të sinjalistikave dhe në pjesën e qytetit ku ka vizitorë më shumë. Rasti është në OShP dhe po presim të zgjidhet së shpejti”, ka deklaruar ai.

Mungesa e shenjëzimit të vendkalimeve për këmbësorë vazhdon të jetë shqetësuese për një kohë të gjatë jo vetëm në qendër të qytetit të Prizrenit, por edhe në zona periferike dhe fshatrat përreth, ndërkaq sipas organeve komunale dhe të sigurisë ky problem pritet të zgjidhet së shpejti. /FjonaXhini/Telegrafi/