Caktimi i gjyqtarëve për ndeshjet e javës së 35-të të Kategorisë Superiore ka shkaktuar shumë kaos në mëngjesin e sotëm.
“Panorama Sport” ka mësuar se disa gjyqtarë janë lajmëruar fillimisht për t’u përgatitur për një ndeshje, por pas një ore, u ka ardhur një urdhër i dytë, për të ndryshuar destinacion dhe për të udhëtuar drejt një qyteti tjetër.
Shkak janë bërë protestat e klubeve të ndryshme, të cilat kanë shprehur pakënaqësi për një gjyqtar apo një tjetër. Burime pranë FSHF-së bëjnë të ditur se kjo ka detyruar sektorin përkatës brenda këtij institucioni që të ndryshojë disa herë treshet e gjyqtarëve për ndeshjet e sotme që janë shumë delikate, pasi mund të përcaktojnë fatin e sezonit, që nga titulli, e deri te mbijetesa.
Ndërsa FSHF nuk ka bërë ende asnjë njoftim zyrtar, “Panorama Sport” ka mësuar disa nga emrat që do të gjykojnë takimet e sotme. Ndeshjen e titullit mes Kukësit dhe Skënderbeut do ta gjykojë ndërkombëtari Enea Jorgji, me asistentë Denis Rexhën dhe Rejdi Avdon.
Kjo alternativë ishte më e mira e mundshme që kishte mbetur për klubet pasi ndërkombëtarët e tjerë janë të pezulluar për shkak të gabimeve në ndeshjet e javëve të kaluara.