Telegrafi

FSHF mirëpret Strugën në “Elbasan Arena” për ndeshjen ‘play-off’ në Ligën e Konferencës

Sfida Struga-Breidablik, e vlefshme për fazën ‘play-off’ të Ligës së Konferencës, do të luhet më datën 24 gusht në stadiumin “Elbasan Arena”, ora 19:00.

Vendimi është marrë në konsultim mes UEFA-s, Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut dhe Federatës Shqiptare të Futbollit, pasi stadiumi i Strugës nuk plotësonte kriteret e qeverisë së futbollit evropian për ndeshjet e kësaj faze.

Gjithashtu, asnjë stadium tjetër në Maqedoninë e Veriut nuk përmbush aktualisht kriteret e UEFA-s dhe për këtë arsye u ra dakord me FSHF, që ndeshja e parë e Strugës të luhet në Shqipëri.

Lexo po ashtu Hapi i fundi drejt ëndrrës – Ballkani, Partizani dhe Struga duan grupet dhe milionat

Përveç stadiumit, Federata Shqiptare e Futbollit do të ofrojë të gjithë asistencën e saj për organizimin sa më të mirë të ndeshjes falë edhe eksperiencës së madhe që ka në pritjen e garave ndërkombëtare.

Ndryshe, Struga e eliminoi klubin nga Luksemburgu, Hesperange, duke e mposhtur 3-1 në shtëpi dhe duke humbur 2-1 si mysafir. /Telegrafi/