Telegrafi

FSHF dorëzon dosjen në UEFA për Super Cup 2019

Në fillim dukej më tepër si një premtim elektoral, por sot Federata Shqiptare e Futbolli ka dorëzuar dosjen e saj në UEFA ku kërkon të jetë organizatore për finalen e Superkupës së Europës së vitit 2019.

Nëpërmjet një komunikate në faqen zyrtare FSHF njofton se ka plotësuar dosjen sipas kritereve të kërkuara nga qeveria e futbollit evropian.

Dokumentacioni i plotë i FSHF-së për organizimin e finales së Supërkupës së vitit 2019 u nis sot për në UEFA, si dhe u hodh elektronikisht në platformën e tyre. Pas një pune shumë voluminoze disa mujore FSHF ka plotësuar dosjen e aplikimit për “UEFA Super Cup 2019” në të gjitha seksionet përkatëse.

Ftesës së FSHF-së për bashkëpunim i janë përgjigjur pozitivisht pjesa më e madhe e aktorëve të interesuar, ndër to: Ministria e Arsimit dhe Sportit, Bashkina Tiranë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Intelektuale, Inspektorati i Kontrollit në Monitorim të Tregut, Agjencia Kombëtare e Turizmit etj.

Këto institucione kanë kontribuar në plotësimin e kërkesave të UEFA-s për organizimin dhe mbarëvajtjen e Superkupes së Europes duke ofruar bashkëpunim maksimal me FSHF-në. Po kështu edhe Kryeministria ka luajtur rolin e saj shumë vendimttar për gjithçka kërkohet për të plotësuar dosjen, e cila sot u dërgua në UEFA. Dosja e kandidaturës së Shqipërisë do të analizohet nga UEFA dhe në shtator do të merret vendimi për fituesin nga Komiteti Ekzekutiv i saj.