Telegrafi

Fshehja e dy milionë eurove nga doganat

Prokuroria e Qarkut në Prishtinë ka filluar hetimet për dy milionë eurot që i ka humbur Dogana për mosprocedim të lëndëve për kundërvajtje në gjykata. Këtë shumë parash, drejtuesit e doganës, me apo pa qëllim, e kanë humbur shkaku se nuk i kanë proceduar për tri vjet me radhë kundërvajtjet apo gjobat që i kanë shqiptuar doganierët në zonat kufitare.

E vjetërsimi i këtyre lëndëve deri në këtë periudhë kohore, sipas ligjeve të Kosovës, i shpall të pavlefshme dënimet. Pasi i kanë zvarritur këto lëndë aq shumë, gjykatat i kanë shpallur si të vjetruara dhe të paekzekuteshme. Mospërkujdesja e doganës për t`i kryer me kohë punët e veta, për Prokurorinë ka hap dyshime se janë bërë me qëllime të caktuara.

Tash, Prokuroria e Qarkut i ka ra n`derë doganës. Kryeprokurori i Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë, Aleksandër Lumezi, ka konfirmuar për Express se ai personalisht ka angazhuar prokuror për ta hetuar këtë rast.

Thotë se kjo çfarë kanë bërë drejtuesit e doganës është vepër e rëndë penale dhe mospërmbushje e detyrës zyrtare. Dënimet e shqiptuara nga doganierët janë të viteve 2002, 2003 dhe 2004. /Telegrafi/