Telegrafi

Fshatrat e Klinës vërshohen për herë të dytë brenda pak ditësh, dëme të mëdha materiale

Është hera e dytë që Komuna e Klinës po përballet me vërshime brenda një kohë të shkurtër. Gjendja më e rëndë është në fshatin Zajm.

Pas reshjeve të fundit të shiut disa fshatra të Klinës janë bllokuar nga vërshimet.

Gjendja më e rëndë është në fshatin Zajm. Banorët thonë se tashmë uji ka filluar t’iu futet edhe në shtëpi.

“Dëme materiale ka pasur shumë. Çdo gjë që në katin e parë na ka prishë. Frigoriferi, makina për larjen e rrobave, shporeti elektrik e gjithçka tjetër është prishur dhe tashmë i kam gjuajtur. Uji na i ka marrë këto pajisje edhe me herët por kësaj radhe më nuk kemi mundur t’i terim dhe i gjuajtëm”, tha për RTV Dukagjinin Qamile Foniqi.

Në anën tjetër nga komuna e Klinës thotë se ekipet kanë dalë në terren dhe po mundohen të sanojnë dëmet e shkaktuara.

“Për fat të mirë deri më tani nuk kemi asnjë familje të rrezikuar, pos dëmeve të konsiderueshme që janë shkaktuar në ekonomi familjare, biznese dhe në toka bujqësore. Sot gjendja është më e qetë dhe niveli i ujit ka rënë, ndërkohë që ekipet e zjarrfikësve dhe ekipet komunale janë në terren dhe po intervenojnë në bazë të kërkesave të banorëve”, deklaroi zëdhënësja e Komunës së Klinës, Vlora Tafili e cila shtoi tutje se së shpejti do të bëhet edhe evidentimi i dëmeve.

Vërshime të ngjashme janë raportuar edhe në Pejë e Rahovec por që atje gjendja po konsiderohet stabile./Telegrafi/