Një pjesë e mirë e qytetarëve frekuentojnë ende plazhet në këtë fillim shtatori, ndërsa bujqit janë shpërndarë nëpër fusha, pasi është periudha e vjeljes së frutave të stinës.
Një fenomen i tillë po ndodh edhe në fshatrat e Kavajës.
Idajet Knapari la emigrimin vitet e shkuara për të investuar në serra, nga ku nxjerr prodhim të bollshëm me rrush të varieteteve të ndryshme.
Idajeti thotë se forca punëtore është e pakët, por problematika më e madhe për të është ngërçi që krijohet për tokat e marra me qira, gjë që i kushtëzon subvencionet e dhëna nga qeveria.
“Kemi 17 vjet që jemi kthyer nga Italia. Vullneti nuk na mungon, dëshira e fermerëve shqiptarë nuk mungon, por ka shumë ngërçe. Tokat e marra me qira është problem i madh për ne fermeret, sepse në momentin që bëjmë investimin dhe qeveria ka dëshirën për të na ndihmuar, kjo pjesë e ligjit, kur nuk arrijmë të bëjmë marrëveshje të noterizuara me qiradhënësin, na penalizon në procesin e punës,” thotë Knapari.
Një tjetër bujk është Tomorr Topi. Edhe ai ka parcela të tëra me serra, të përqendruara në kultivimin e rrushit. Tomorri thotë se kërkesa ka shumë, ndërsa kërkon që të shtohen tregjet, sidomos jashtë Shqipërisë, pasi produktet janë të një cilësie shumë të lartë.
“Kemi problemet e tregut, shitjet te tregtarët ambulantë dhe jo me firmat e mëdha. Ne shesim nga 20, 50 arka, në varësi të kërkesës së tregut,” shprehet Topi.
Shembujt si të Idajetit dhe Tomorrit në Shqipëri janë të shumtë. Shumë zgjedhin që të kthehen nga emigrimi dhe eksperiencën që kanë marrë atje ta vendosin në zbatim në tokat e tyre.
Idajeti dhe Tomorri ia kanë dalë, ndaj dhe thirrja e tyre është që të tjerë persona të ndjekin shembullin e tyre, në mënyrë që Shqipëria ta bëhet një vend më i mirë për të gjithë bashkë. /RTSH