Site icon Telegrafi

Fshatra në Fier e Vlorë, në rrezik përmbytjeje (Video)

Reshjet e 24 orëve të fundit kanë shkaktuar probleme në disa qarqe të vendit, ndërsa stuhia pritet të rëndojë zonat e jugut. Sipas parashikimeve, për shkak të rritjes së prurjeve të lumit Vjosë pritet të krijohen probleme përgjatë rrjedhës së tij.

Top Channel ishte në Qendrën Kombëtare të Emergjencave Civile, ku merret informacion në kohë reale për çdo situatë.

“Për të parandaluar të papriturat dhe situatat e emergjencave janë dislokuar në të gjithë territorin e vendit rreth 2.000 forca të policisë, të ushtrisë, të shërbimeve zjarrfikëse dhe emergjencave civile, kryesisht për të qenë të përgatitur për çdo situatë të mundshme emergjente”, tha Shemsi Prençi, drejtor i Përgjithshëm i Emergjencave Civile.

Zona që mund të preket është Memaliaj, ndërsa përmbytje të tokës bujqësore dhe prekje të banesave priten në fshatrat Frakull, Kafaraj dhe Çervenë në Fier. Edhe fshatrat Pishporo, Novoselë, Fitore dhe Bashkia Selenicë në Vlorë janë në rrezik.

Deri më tani, qarku më i prekur nga përmbytjet e tokave bujqësore është Shkodra, me rreth 900 hektarë, ndërkohë KESH ka nisur shkarkimet nga hidrocentrali i Vaut të Dejës, 1.200 metra kub ujë në sekondë.

Edhe Lezha ka një sipërfaqe të madhe tokash bujqësore të përmbytura, me mbi 500 hektarë, kurse Kurbini me 300 hektarë. Në Kukës, për shkak të prurjeve të mëdha të lumit që përshkon grykën e Vanave rrezikohet të shembet rruga nacionale Kukës-Shishtavec.

Nga ana tjetër, situata e rrugëve në vend paraqitet e stabilizuar. Superstrada Tiranë-Durrës është në funksion të plotë, megjithatë Ministra e Transportit bën thirrje për kujdes. E vetmja rrugë nacionale e bllokuar është aksi Rrëshen-Fushë Arrëz.

Megjithatë, Emergjencat Civile apelojnë që të mos neglizhohet asnjë thirrje, nisur edhe nga ngjarjet e ditës së martë, ku tre persona dyshohet se humbën jetën për shkak të motit të keq.

“Apeli për qytetarët është t’u binden thirrjeve të strukturave dhe parashikimeve dhe të shmangin lëvizjet në zonat e rrezikuara, sidomos të fëmijëve”, tha Shemsi Prençi.

Exit mobile version