Telegrafi

Fshati Studime përkujton martirët që u vranë para 17 vjetësh

Qindra qytetarë janë mbledhur sot në fshatin Studime të Vushtrrisë për të përkujtuar 116 martirët, të cilët u vranë dhe u masakruan nga forcat serbe më 2 maj të vitit 1999.

Me këtë rast të pranishmit kanë deklaruar se sa herë që vijnë në këtë fshat e kujtojnë vrasjen e gjithë këtyre gjeneratave me dhimbje, por edhe krenari.

Për të përkujtuar martirët e Studimes kishte ardhur edhe presidenti Hashim Thaçi së bashku me bashkëshorten e tij, e cila është nga ky fshat.

Me këtë rast presidenti Thaçi, tha se forcat paramilitare serbe në Studime të Vushtrrisë kryen vrasje, vjedhje e përdhunime të ndryshme.

“Këto vendbanime, krahas betejave historike të UÇK-së dhe rezistencën qytetare na kujtojnë gjithmonë çmimin e lirisë dhe pavarësisë sonë. Na kujtojnë vrasjen e grave dhe të burrave, të nënave dhe të baballarëve, të rinjve dhe të rejave, të pleqve dhe fëmijëve të cilët u flijuan për lirinë që e gëzojmë ne sot. Zonja dhe zotërinj, pas shekujsh përpjekjesh për liri Kosova më në fund e ka arritur mbështetjen e botës demokratike, pas 17 vitesh UÇK, bombardimet aleate më të fuqishme ushtarake të botës të NATO-s mbi caqet policore serbe po jepnin goditjet e fundit pushtimit të Kosovës. Forcat serbe nuk kursenin asgjë, vidhnin, plaçkitnin, dhe dëbonin popullsinë civile nga vatrat e tyre. Për të shkuar edhe më tej pas çdo humbje në terren nga UÇK-ja bëheshin dhe më agresive, duke dhunuar, vrarë, masakruar dhe duke bërë gjenocid dhe pastrim etnik. Para 17 vitesh edhe këtu në Studime të Vushtrrisë popullata civile e përjetoi një tmerr të vërtetë. Kam dëgjuar dhe lexuar përjetime të familjarëve për masakrën e Studimes, për vrasjen e burrave në sy të grave, për vrasjen e djemve në sy të nënave, për vrasjen e dhëndrit një ditë pas martesës, për vrasjen e 140 personave”, tha Thaçi në Studime.

Për masakrën e Studimes ka folur edhe kryetari i Vushtrrisë, Bajram Mulaku,i cili tha se në këtë masakër janë vrarë edhe gra e fëmijë.

“Mbi 100 njerëz të paarmatosur duke përfshirë gra, fëmijë, pleq, në natën e 2 majit do të vriten në këtë lëndinë… Fatkeqësisht deri sot përkundër faktit që këto varreza janë dëshmi dhe ka shumë njerëz që kanë qenë dëshmitarë sot këtu e ata që tentojnë asnjë herë deri më sot askush nuk është marrë në pyetje dhe askush nuk ka dhënë përgjegjësi për këtë masakër të rëndë që e ka bërë ushtria serbe, paramilitarët serb edhe ata lokal të Vushtrrisë”, tha Mulaku.

Për të nderuar martirët në Studime sot ishte edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili tha se sa herë vjen në këtë fshat sheh se sa shumë njerëz kanë dhënë jetën për liri.

“Familjarë të martirëve që i kujtojmë sot, të dëshmorëve dhe familjarë, udhëheqës të institucioneve qendrore e komunale, gjithë ju prezent është ndjenjë dhimbjesh, ndjenjë krenarie gjithashtu sa herë që  në Studime e shohim gjenerata e gjenerata të reja të flijuara për liri edhe ne me respektin më të madh i bashkohemi këtij nderimi e kësaj përulje për ata që sakrifikuan për liri, lavdi”, tha Haradinaj.

Të pranishmit në fund të ceremonisë vendosën lule mbi varrezat e dëshmorëve të vrarë në këtë fshat, ku më 2 maj të vitit 1999 janë vrarë 116 civilë.