Kur energjia elektrike mungon prej 15 vjetësh ndodhë që në një fshat, banorët të harrojnë kush ka qenë presidenti apo kryeministri i fundit që kanë parë në ekranin e shtëpisë së tyre.
Në realitetin shqiptar ku ata shfaqen gjithkund duket e pamundur. E pra nuk është kështu.
Sado të duket e pabesueshme, banorëve të një fshati në Shqipëri, televizori nuk duhet për asgjë, bile në masë dërrmuese në shtëpitë e tyre nuk ekziston fare si objekt.
Bëhet fjalë për banorët e Brucajt që e kanë harruar se kush ka qenë presidenti apo kryeministri i fundit që e kanë parë në ekran në këtë fshat. Për një pjesë është Aleksander Meksi, e për një pjesë Fatos Nano.
“Ca lajmesh marrim vesh na? Lajmet nuk vijnë me qiri. Ministra kryeministra nuk i mbajmë mend, s’kemi as drita as televizor, s’kemi si ti mbajmë mend”, thonë dy banore.
“Nuk kemi drita përveç Diellit dhe Hënës”, thonë banorët.
Kur bota diskuton për përparimin e frikshëm të teknologjisë apo Shqipëria promovon oferta të celularëve dhe laptopëve të fundit, kur politika është zhvendosur në rrjete e platforma “online”, asgjë nga këto nuk mbërrin në Bruçaj…