Site icon Telegrafi

Fshati në Afrikën e Jugut që mblodhi mijëra gjuetar të thesareve, një burrë gjeti gurët misterioz për të cilët thotë se ia ndryshuan jetën

Mbi 1000 gjuetarë të thesareve ia kanë mësyrë fshatit Kvahlati në Afrikën e Jugut, në kërkim të gurëve të panjohur që janë zbuluar në atë rajon – për të cilët shumë besojnë se janë diamante.

Gurët me pamje të kristaleve i ka gjetur gjatë vikendit një fshatar në një fushë të hapur – duke ia zgjuar shpresat të tjerëve se mund të bëhet fjalë për diamante, edhe pse disa paralajmërojnë se ekzistojnë gjasa të mëdha që mund të jenë kuarc, transmeton Telegrafi.

“Zbulimi i gurëve na e ka ndryshuar jetën”, ka thënë një prej gërmuesve Mendo Sabelo, i cili tashmë ka mbledhur disa gurë që ekspertët ende nuk i kanë analizuar.

“Jeta do të na ndryshojë sepse askush nuk e ka pasur një punë të vërtet. Unë punoj çfarëdo që mundem. Kur u ktheva me gurë, familja ishte tepër e lumtur”, ka thënë 27-vjeçari baba i dy fëmijëve.

Nga ministria e Minierave, është bërë e ditur se do të dërgohet një ekip e gjeologëve dhe ekspertë tjerë, për t’i marrë mostrat me qëllim që të analizohen në laboratorë.

E mungesa e konfirmimit nuk i ka dekurajuar fare gërmuesit që thjesht e kanë pushtuar fshatin dhe fushat. Të rinj, të vjetër, burra, gra – të gjithë “të armatosur” më lopata në kërkim të thesarit.

Ekonomia e Afrikës së Jugut është në “ngërç”, për shkak të përqindjes së madhe të papunësisë që e shkaktoi dhe rëndoi pandemia e coronavirusit. Madje disa kanë filluar t’i shesin këta gurë me një çmim prej 100 randë (7,2 dollarë) e deri në 300. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version