Telegrafi

Fshati Llukë i Deçanit vërshohet nga mbeturinat, rrezikohen edhe nxënësit (Video)

Është hera e tretë që po pastrohet nga Komuna e Deçanit një hapësirë ku janë krijuar deponi mbeturinash në fshatin Llukë i Ulët.

Sipas kryeplakut të Llukës së Ulët, Ismet Tetaj, ky fshat që një kohë të gjatë gjendet në këtë gjendje. Ai thotë se era e pakëndshme që kundërmon është bërë pengesë edhe për nxënësit e fshatit.

“Kjo hapësirë tri herë është pastruar nga Komuna e Deçanit, prapë se prapë është e njëjta gjendje. Edhe pak ditë, nëse vazhdohet me këtë gjendje do të bllokohet edhe rruga”, thotë Tetaj.

Kryeplaku thotë se shqetësim mbetet edhe hedhja e produkteve të skaduara në këtë hapësirë, dhe më të rrezikuarit mbeten fëmijët.

“Unë nuk e di si t’ia bëjmë. Verës kur firmave u skadojnë produkteve vijnë e i hedhin këtu. Fëmijët nuk e dinë a janë të skaduara produktet dhe po i marrin e po i hanë, ku më pas po helmohen”, shton më tej Ismet Tetaj, përcjell Telegrafi.

Në anën tjetër Sali Kuçi, drejtor i kompanisë “Higjiena”, thotë se ky fshat do të hyjë në projekt të shërbimeve nga kjo kompani dhe do të mbyllen shërbimet tjera.

“Nga viti i ardhshëm edhe ky fshat do të përfshihet nga shërbimet tona dhe do të furnizohet me konta të mbeturinave. Lusim qytetarët që të vijnë dhe të anëtarësohen në kompaninë tonë. Shërbimi do të jetë cilësor”, Tha Kuçi

Sipas Tetajt fajtorë për mbeturinat janë kalimtarët e rastit dhe banorët e fshatrave përreth./RTV Dukagjini/Telegrafi/