Në provincën kineze Guizhou gjendet një shpellë pa rrugë në të cilën jo vetëm që jetojnë disa persona por një fshat i tërë, i organizuar në atë mënyrë që i gjithë komuniteti të jetojë në errësirën e shpellës.
Fshati Zhongdong ndodhet në lartësi prej 1,800 metra mbi nivelin e detit, kurse atje mund të shkohet duke bërë plotë një orë ngjitje nëpër kodra, fakt ky që ua vështirëson banorëve të plotësojnë nevojat themelore, transmeton Telegrafi.
Qëndrimi zyrtar i qeverisë kineze se “Kina nuk është një vend i njerëzve të shpellës” ka bërë që shkolla e vetme që ishte brenda kësaj shpelle të mbyllet në vitin 2008, duke i detyruar të rinjtë të ecin plotë dy orë deri në shkollën më të afërt.
Në shkollën që ishte ndërtuar brenda shpellës mësimet i kishin vijuar 186 nxënës, kurse në afërsi të saj ishte e ndërtuar edhe një fushë basketbolli. Së bashku me banorët e këtij fshati në shpellë që masa i quan “njerëzit e fundit të shpellës”, jetojnë edhe disa kafshë shtëpiake siç janë lopët dhe pulat.
Jeta pa një rrugë për në fshat nënkuptonte një jetë pothuajse tërësisht pa informacione nga bota e jashtme, për faktin se banorët nuk kishin qasje në televizion apo gazeta.
Megjithatë, historia e këtij fshati nëpër media ka bërë që turistët të shprehin interesim të madh për këtë vend, kështu që edhe qeveria ka filluar të shfaq interesim për të. Tani kanë një rrugë për në fshat, kurse nxënësit janë vendosur në një shkollë, e familjet e tyre i vizitojnë gjatë fundjavave apo për festa.
Por ndërtimi i një rruge ka bërë që shumë banorë të fshatit të largohen, megjithatë shumica kanë vendosur të qëndrojnë në shpellë. Sipas statistikave të fundit, brenda saj jetojnë rreth 100 banorë. /Telegrafi/