Site icon Telegrafi

Fshati japonez “zëvendëson” popullsinë me kukulla

Më pak se 60 njerëz jetojnë në fshatin jugor Ichinono të Japonisë – shumica e tyre kanë kaluar moshën e pensionit, pasi të rinjtë janë larguar për punë ose arsim.

Në një përpjekje “për të shëruar vetminë”, fshatarët kanë përdorur rroba dhe pëlhura të ndryshme për të qepur një popullatë të re kukullash.

“Ne jemi ndoshta më shumë se kukullat”, tha Hisayo Yamazaki, 88-vjeçare.

Ajo shtoi se shumica e familjeve në Ichinono kishin fëmijë që kishin shkuar diku tjetër, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.

“Tani po paguajmë çmimin”, vazhdoi ajo.

Megjithatë ka disa banorë më të rinj në Ichinono, duke përfshirë Rie Kato, 33 dhe Toshiki Kato, 31.

Djali i tyre dyvjeçar, Kuranosuke Kato, ishte fëmija i parë i Ichinono në dy dekada, sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme të Japonisë.

Ndryshe, Japonia ka përqindjen më të lartë të njerëzve të moshës 65 vjeç e lart, sipas të dhënave të publikuara muajin e kaluar nga byroja e statistikave të vendit.

Ndërsa popullsia e Japonisë po zvogëlohet, numri i njerëzve të moshës 65 vjeç e lart është në një nivel rekord prej 36.25 milionë – duke përbërë 29.3% të popullsisë totale. /Telegrafi/

Exit mobile version