Site icon Telegrafi

Fshati italian u ofron shtëpi për 1 euro amerikanëve që janë të pakënaqur me fitoren e Trumpit

Pasi Donald Trump u zgjodh për herë të dytë president i SHBA-së në zgjedhjet e mbajtura më 5 nëntor, një pjesë e amerikanëve janë të pakënaqur me rezultatet e zgjedhjeve, ndërsa fshatit Ollolai në Sardenjë i ka lindur një ide për zhvillim ekonomik.

Në fakt, në fshatin ku numri i banorëve është zvogëluar për dekada dhe para zgjedhjeve amerikane ishin në shitje shtëpi të braktisura dhe të dëmtuara për vetëm një euro, dhe ata kishin ftuar të huajt të vendosen aty.

Tani ata kanë hapur një faqe interneti të dedikuar për amerikanët, ku mund të shohin ofertat për shtëpi të lira, duke shpresuar se ata që janë të pakënaqur me rezultatet e zgjedhjeve do të vendosin të transferohen në këtë fshat italian, shkruan cnn.

“A jeni të lodhur nga politika globale? Dëshironi të shijoni një stil jetese më të balancuar, me mundësi të reja? Është koha të filloni të punoni për arratisjen tuaj evropiane në parajsën mahnitëse të Sardenjës”, thonë ata.

Përfaqësuesi i fshatit, Francesco Columbu, shpjegoi se faqja është krijuar posaçërisht për të tërhequr votuesit amerikanë të pakënaqur pas zgjedhjeve presidenciale.

Ai tregoi se e do shumë Amerikën dhe është i bindur se amerikanët do të ndihmojnë në ringjalljen e fshatit.

“Do të përqendrohemi tek amerikanët më shumë se gjithçka tjetër. Sigurisht, nuk mund ta ndalojmë dikë nga shtete të tjera të regjistrohet, por amerikanët do të kenë një procedurë më të shpejtë. Ne po vëmë bast tek ata që do të na ndihmojnë të ringjallim fshatin, ata janë karta jonë për sukses”, shpjegoi ai.

Për më tepër, fshati ofron disa lloje akomodimi. Për nomadët digjitalë janë parashikuar shtëpi të përkohshme falas, ndërsa përveç kësaj, për një euro ofrohen shtëpi që kanë nevojë për rinovim, ndërsa ato që janë gati për t’u futur në to shiten deri në 100 mijë euro.

Ata kanë organizuar gjithashtu një ekip të posaçëm që do t’i ndihmojë blerësit e interesuar në çdo hap deri në shtëpinë e tyre të re. Tani, në fshat jetojnë pak më shumë se 1100 banorë. /Telegrafi/

Exit mobile version