Site icon Telegrafi

Fshati Graçan i Shkupit dikur i braktisur, tani po i rikthehet jeta

Rikthehet në atraksion për shtëpi pushimi dhe agroturizëm

Vetëm 20 kilometra nga qyteti i Shkupit, afër kufirit të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, fshatit Graçan po i rikthehet jeta. Nga gurët e shtëpive të rrënuara dikur, po rindërtohen shtëpi të reja dhe luksoze.

Dikur nga ky fshat u shpërngulën të gjithë banorët.

“Fshati Graçan ka pasur 60 shtëpi banimi, pas viteve të 80 filloi shpërngulja e banorëve nga fshati në qytet e në vitin 2001 edhe ata pak shtëpi që ishin, diku 5-6 shtëpi u shpërngulën në qytet”, deklaroi Qenan Neziri, kryetar i Bashkësisë Lokale në Graçan.

Por tani, ky vend po rikthehet në një atraksion për të ndërtuar shtëpi pushimi dhe biznese të agroturizmit.

“E gjithë iniciativa ishte nga banoret e fshatit Graçan, të cilët duan rikthimin e fshatit dhe rindërtimin e po të njëjtit. Ne funksionojmë si bashkësi lokale në kuadër të Komunës “Gjorçe Petrov” dhe kemi paraparë disa projekte të cilat janë në realizim”, thotë Neziri.

Me iniciativë të banorëve të këtij fshati, po zgjerohet rruga por ka edhe shumë projekte tjera infrastrukturore, të cilët kanë qëllim të rikthejnë jetën në këtë fshat.

“Për momenti kemi diku 20 shtëpi pushimi të ndërtuara, pas projekteve të cilët i realizuam është rikthyer besimi tek banoret të cilët emigruan nga fshati në qytet”, thotë Neziri.

Graçani bën pjesë në Komunën “Gjorçe Petrov” dhe kufizohet me fshatrat Nigishtan, Kuçkovë, Radushë dhe Krevenik. Me adresë banimi tani janë vetëm 30 banorë./KlanMacedonia

Exit mobile version