Uji mungon, mbeturinat në çdo anë, ndërsa nëse nuk paguhen faturat për këto, menjëherë bllokohen llogaritë me përmbarues. Këto janë problemet me të cilat po ballafaqohen për momentin banorët e fshatit Cërnilishtë të Komunës së Dollnenit. Ata për televizionin Shenja u shprehën tepër të shqetësuar sepse zyrtarët nuk po ju dalin në mbrojtje. Kryetari i fshatit Ismailaki Ibrahimi por edhe banorët thonë se 2200 banorët e fshatit nuk kanë ujë cilësor, një pjesë e fshatit vazhdimisht i ka çesmet pa ujë, ndërsa për mospagesën e faturave komuna ua bllokon llogaritë me përmbarues.
Problemi tjetër është edhe mospastërtia e fshatit. Kryetari Ismailaki Ibrahimi thotë se çmimin për pagesë ua rritën, ndërsa ankesat dhe kërkesat e banorëve komuna nuk i merr parasysh.
Kryetari i fshatit thotë se kanë kërkuar me 400 nënshkrime që komuna të heq dorë nga pastrimi i fshatit, por përsëri u bllokohen llogaritë për mospagesën e faturave. Problem tjetër, sipas cërnilishtasve është edhe kanalizimi i fshatit i cili është nisur por nuk është përfunduar, madje komuna u ka thënë se nuk kanë mundësi as t’u ndërtojnë stacion filtrues. Kryetari i Kominës së Dollnenit Bozhe Boshkovski ishte i pakapshëm për të dhënë qëndrimin e tij rreth problemeve që paraqitën banorët e Cërnilishtës./Telegrafi/