Me mungesë të ujit zgjohen e bien banorët e fshatit të Bukoviqit për 30 vite me radhë. E në mungesë të kushtit elementar për jetë, banorët janë të detyruar që të udhëtojnë nëpër fshatrat tjerë që të mbushin ujë, transmeton Telegrafi Maqedoni.
“Në këtë mënyrë primitive banorët e fshatit të Bukoviqit janë të detyruar që të bartin ujë nga fshatrat e tjerë për tu furnizuar me ujë, pasi që kanë mungesë të ujit të pijshëm.”
Kryetari i Këshillit të këtij fshati, Mujadin Hajrullahu thotë se kanë marrë premtime që brenda një viti do të rregullohet furnizimi me ujë.
“Kontaktin e fundit që kam pasur me udhëheqësin e Komunës së Sarajit, përgjigjja e tyre ka qenë se ujësjellësi Rasçe brenda 6 muaj deri në 1 vjet, do të jetë gati edhe për fshatin Bukoviq. Po që se merret procesi i këtij projekti më shpejtë do të ishte më mirë për shkak se edhe unë jam në presion nga qytetarët e fshatit Bukoviç, kështu që po që se arrihet ky proces më shpejt do të jetë mirë edhe për Komunën por edhe për fshatarët”, u shpreh Mujadin Hajrullau – Kryetar i këshillit të Bukoviqit.
Edhe një vit më parë ekipi ynë qëndroi në këtë fshat për të njëjtin problem, ku nuk kishte ujë, dhe se banorët mbanin shpresë nga premtimet e dhëna nga komuna.
Banorët thonë se vetëm 4 kilometra e kanë larg Rashçen , ku gjendet burimi i ujit që furnizon Shkupin, por ata skanë ujë dhe detyrohen që ta bartin ate nga fshatrat tjera.
“Ja shiko qeshma pa ujë, nëse dëshironi edhe tek fqinjët shkojmë ose ku të kesh dëshirë, na pa ujë jemi.”
“Nevoja e ujit dihet, për çdo banorë duhet të paktën 100 litra të ketë, mirëpo ujë nuk ka momentalisht”, u shprehën disa banorë.
Kryetari i komunës së Sarajit, Bekim Murati nuk u është përgjigjur thirrjeve të TV21 për të sqaruar problemin e mungesës së ujit dhe për premtimet e dhëna për banorët. Banorët deri tani janë furnizuar me ujë nga ujësjellësi i vjetër i ndërtuar 30 vite më parë, por vazhdimisht kanë pasur ndërprerje dhe mungesë të ujit. Nga viti 2001 ishte ndërmarrë nismë për lidhjen e tyre me burimin e Rashçes, por deri tani ky projekt ka ngelur vetëm si premtim./Telegrafi/