Telegrafi

“Fryma antiruse në mediat shqiptare, zgjedhje e gazetarëve” (Video)

Ambasadori rus në Tiranë, Aleksandër Karpushin, ka bërë një ndërhyre në media duke dhënë disa mendime për situatën aktuale të raporteve ruso-shqiptare.

Ai ka dhënë një intervistë për “Abc News” përmes të cilës ka vënë theksin te niveli i ulët i raporteve që, sipas tij, vjen si pasojë e qëndrimeve politike të Tiranës.

Karpushin ka bërë thirrje për vullnet për marrëdhënie më të mira me Rusinë, pasi “interesi dypalësh e kërkon këtë”, por nuk ka shprehur shumë optimizëm.

Lidhur me pyetjen se përse Moska nuk e njeh Kosovën, ai ka sqaruar se Rusia i përmbahet Rezolutës 1244 të OKB-së në respekt të rendit ndërkombëtar dhe të drejtës ndërkombëtare.

Sipas ambasadorit rus, marrëdhëniet që Shqipëria mban me disa vende që nuk e kanë njohur Kosovën, flasin për faktin se vetë Shqipëria nuk kushtëzon raportet me një qëndrim për një çështje të caktuar, diçka që nuk ka pse t’i kërkohet ekskluzivisht Rusisë.

Ndoshta pjesa më me interes e intervistës është konstatimi i Karpushin se fryma antiruse që vihet re në mediat shqip nuk lidhet aspak me ndonjë presion politik.

“Sipas meje dhe nga vlerësimet tona, liria e medias në Shqipëri është shumë e madhe, ndaj edhe këto lajme janë zgjedhje e gazetarëve. Deri më tani nuk është faktuar asgjë nga ato që ata shkruajnë”, tha Karpushin.

https://youtu.be/H0MxDR3ossg