Kompania Frutex nga Suhareka është njëra ndër kompanitë më të suksesshme prodhuese në Kosovë. Ajo prodhon pije energjike “Golden Eagle” si dhe lëngjet “Relax”. Cilësia dhe kualiteti i produkteve ka bërë që produktet e saj të jenë të shtrira në mbi 20 vende botërore.
Pronari i Kompanisë Frutex nga Suhareka Shaqir Palushi, ka thënë për Telegrafin se gjatë vitit që e kanë lënë pas kanë pasur rritje të shitjeve e po ashtu edhe të investimeve dhe numrin e të punësuarve.
“Për kompaninë Frutex viti 2016 ka qenë vite i suksesshëm sepse kemi pas një rritje rreth 20 për qind e të hyrave dhe kjo rritje është përcjellë edhe me rritje në investime dhe rritje të numrit të të punësuarve. Gjithashtu ajo që mund të jetë e veçantë e këtij viti është vazhdimi i shtrirjes në tregun ndërkombëtar dhe sot produktet e kompanisë Frutex gjenden në tregjet e mbi 20 vende të ndryshme të Evropës, Afrikës dhe Azisë”, thekson Palushi.
Ai thonë se trende pozitive rritëse planifikojnë të kenë edhe gjatë 2017, por që nga Qeveria e Kosovës duhet të krijohen ende lehtësira fiskale për bizneset.
“Natyrisht qe pritjet për këtë vite janë edhe më të mëdha duke u bazuar edhe në premtimet e Qeverisë së Kosovës për pakon e re fiskale e cila do të krijonte lehtësira te reja për prodhuesit kosovarë”, tha biznesmeni Shaqir Palushi.
Përveç kompanisë, Palushi udhëheqë edhe Fondacionin Humanitar “Golden Eagle” që ka kontribuar në dhënien e shumë bursave për studentë si dhe ka rregulluar dhe pajisur me pajisje disa reparte të pediatrisë në vend. /Telegrafi/