Site icon Telegrafi

Fruta dhe perime: Grindje tregtare mes Kroacisë dhe Serbisë

Kroacia si anëtare e BE-së me barrierat tregtare po e indinjon Ballkanin. Komisioni i BE-së u bën thirrje vendeve në grindje, që t’u përmbahen marrëveshjeve.

Në Bruksel nuk ka mbërritur ende letra e paralajmëruar e ankesës nga Ballkani.

Shtetet e Ballkanit: Serbia, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia kanë njoftuar, se do të ankohen për vendin anëtar të BE-së, Kroacinë.

Ministri serb i Tregtisë, Rasim Ljajic dhe homologët e tij duan ta ftojnë Komisionin e BE-së, që të gjykojë konfliktin mes Kroacisë dhe fqinjëve të saj.

Por edhe pa këtë kërkesë me shkrim, Komisioni është duke e verifikuar situatën, tha zëdhënësi në Bruksel.

“Ne po e shqyrtojmë situatën dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të jenë të përmbajtura, të shmangin përshkallëzimin dhe të bien dakord duke hyrë në bisedime me qëllim të mirë”, u shpreh zëdhënësi Carlos Martin Ruiz de Gordejuela.

Serbia, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia, që duan të hyjnë në BE, i akuzojnë autoritetet kroate, se po pengojnë masivisht importin e produkteve të tyre bujqësore.

Kroacia qysh nga java e kaluar kërkon tarifa jashtëzakonisht të larta për inspektimin e frutave dhe perimeve që futen në kufijtë e jashtëm të BE-së; në vend të 12 eurove si deri më sot, tani kërkohen 270 euro për maune.

Menaxhimi i importeve është i çalë, në kalimet kufitare ka bllokim trafiku të mauneve. Frutat dhe perimet të kultivuara në mënyrë organike mund të mbahen deri në 30 ditë në kufi.

Bëhet fjalë për masa proteksioniste, për të mbrojtur tregun nga importet me çmim më të ulët, është akuza e ministrit serb të tregtisë Ljajic. Pala kroate e hedh poshtë akuzën. Në fakt cilësia e mallit duhet të garantohet në dobi të konsumatorit. Rregullat e reja, sipas të dhënave kroate, vlejnë për të gjitha vendet jo anëtare të BE-së.

Serbia dhe tre vendet e tjera ballkanike fqinjë kërcënojnë me kundërmasa.

BE-ja në Bruksel mund të jetë si arbirtre në grindjen e nisur. Shtetet e BE-së, pra edhe Kroacia, janë të lidhura me vendet e Ballkanit përmes marrëveshjeve të “Stabilizim Asociiimit”(MSA).

Marrëveshja me vendet kandidate si Serbia dhe të tjerët parashikon qarkullimin e lirë të mallrave mes vendeve të BE-së dhe Serbisë.

Doganat parimisht nuk lejohen më. Tarifat dhe të tjera barriera tregtare në frymën e MSA mbahen të minimizuara.

Kroacia në të kundërt po përdor tani ndaj vendeve fqinjë të njëjtat rregulla si ndaj shteteve të tjera në mbarë botën.

Kjo është në kundërshtim me normat e MSA-së, që u garantojnë një pozitë të favorizuar vendeve aspirante për anëtarësim. Por Kroacia me masat e saj i referohet MSA-së, sepse në të është parashikuar gjithashtu, që mund të ndërhyhet në kushte të caktuara, nëse tregjet me mallra të ndryshme cënohen në masë apo nëse ka çmime dumping.

Sipas rregullave të MSA-së Serbia me ankesën e saj mund t’i drejtohet “Komisionit të Këshillit të Asociimit”, në të cilin janë të përfaqësuar këshilli i ministrave të vendeve anëtare dhe vetë Serbia.

Vendimet e detyrueshme mund t’i marrë këshilli i asociimit, që përbëhet nga të gjitha 28 vendet anëtare dhe Serbia.

Përpara se puna të shkojë deri aty, Komisioni i BE-së do që të ndërmjetësoje në frymën e tregtisë së lirë, përmes diplomatëve të ndryshëm nga Brukseli.

Mund të vijë në konsideratë edhe një proces nga një gjykatë arbitrazhi e OBT-së, sepse vendet në grindje, përveç Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës – janë anëtarë të kësaj organizate.

Verifikimi i kompetencave dhe i çështjes mund të zgjasë me javë. Deri atëherë për mallin që pret në maunet e bllokuara në këtë pisk vape do të jetë shumë vonë.

“Ne po shqyrtojmë ndërkohë, nëse masat kroate janë në përputhje me detyrimet sipas marrëveshjeve”, tha një zëdhënës i Komisionit të BE-së. Se kur do të jetë qartësuar situata, ai nuk mund ta thoshte. /DW/

Exit mobile version