Site icon Telegrafi

Frotoksi, jep rezultate më të mira se botoksi

Kur botoksi ishte paraqitur si metodë për largimin e rrudhave, shumë njerëz e kishin konsideruar atë mrekulli të vërtetë. Por, përkundër faktit se kjo procedurë heq rrudhat, fakti që ajo nënkupton përdorimin e një helmi (toksine) kishte bërë që shumë njerëz të hamendeshin rreth përdorimit të tij. Tani thuhet se frotoksi është varianti jo-toksik i botoksit, që heq rrudhat me një shpejtësi të paparë.

Kjo metodë e re është dizajnuar që të japë rezultate, pa dëmtuar organizmin. Ajo i trajton si rrudhat horizontale, po ashtu edhe ato vertikale në fytyrë. Këtë metodë e ka zhvilluar një grup për përparimin e teknologjisë mjekësore.

Gjatë procedurës 15 minutëshe, azoti i lëngshëm vendoset afër nervave që kontrollojnë muskujt, të cilët shkaktojnë rrudhat. Azoti i lëngshëm i heq parregullsitë në fytyrë.

Azoti i lëngshëm bën që nervat të futen në një ‘gjumë’ të përkohshëm, prandaj muskujt relaksohen dhe rrudhat largohen – thotë Janis Aleksandrides, doktor nga klinika “Harley Street”, i cili e ka studiuar këtë metodë për një vit të tërë në Kaliforni. Meqë, për dallim nga botoksi, azoti i lëngët gjendet në organizmin tonë, ai nuk paraqet substancë të huaj për të.

Sido që të jetë, ekspertët thonë se ende duhet pritur për të parë se a ka edhe frotoksi efekte të padëshirueshme, apo jo. /Telegrafi/

Exit mobile version