Telegrafi

Frontmeni i bendit legjendar “Iron Maiden” viziton Tiranën

Fati  e deshi që Bruce Dickinson në vizitën e parë që pati në Tiranë, të vinte nën kostumin e pilotit dhe jo të solistit të grupit të famshëm të muzikës heavy metal, “Iron Maiden”. Arsyeja e vizitës së tij një ditore, është thjesht një aeroplan dhe bashkëpunimi që ai do të ketë me të vetmen kompani shqiptare të fluturimeve.

Edhe pse interesi i momentit i këngëtarit në Shqipëri është për arsye biznesi, ai nuk e përjashton mundësinë se në të ardhmen, mund të sjellë “Iron Maiden” në Shqipëri.

“Më duhet të pyes agjentin tim, menaxherin e grupit, por nuk besoj se ka ndonjë arsye për jo, nëse gjithçka shkon mirë, pse mos të vijmë dhe në Shqipëri, duket një vend interesant, madje nëse do të kem pak kohë gjatë qëndrimit, do ta vizitoj Tiranën”, është shprehur ai, transmeton tvklan.

Këtë herë nuk erdhi si këngëtar, por ka thënë se “Iron Maiden” mund të vijnë në Shqipëri

Ky ishte edhe lajmi më i bukur që morën fansat e tij që patën mundësi ta prisnin e më pas ta takonin në bordin e avionit, që mban emrin e një tjetër anglezi të dashur për shqiptarët, Norman Wisdom, i njohur me emrin e personazhit të tij, Pitkini.

Ndryshe nga ata pak këngëtarë të famshëm që kanë ardhur në Shqipëri, Dickinson zgjodhi që takimin, fotografitë dhe autografet me admiruesit e tij, t’i zhvillonte në privatësi, pa praninë e medias.

“Ka më shumë admirues se këtu…akoma më mirë… e kam një ide që edhe në Shqipëri, ‘Iron Maden’ ka shumë fansa, si në çdo vend të botës”, ka theksuar rokeri.