Telegrafi

Partia serbe ‘Fronti Demokratik’ i Malit të Zi dënon dhurimin e vaksinave kundër COVID-19 për FSK-në

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj gjatë ditës së djeshme kishte bërë të ditur se ka pranuar donacion me vaksina kundër COVID-19 nga Ministria e Mbrojtjes së Malit të Zi.

Mehaj në një shkrim në rrjetin social Facebook tregon se ky donacion dhe aktivitetet tjera bilaterale janë fryt i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet dy vendeve.

“Pata kënaqësinë të pranoj donacionin e vaksinave anti-COVID-19 nga Ministria e Mbrojtjes së Malit të Zi, donacion ky shumë të vlefshëm jo për nga vlera financiare sa i vlefshëm nga vullneti i veçantë i dëshmuar për përkrahje të plotë në kohë krize nga miqtë dhe partnerët tanë malazez”, pati njoftuar Mehaj.

Pas këtij donacioni, Fronti Demokratik i Malit të Zi ka dënuar dhurimin e këtyre vaksinave.

Lexo po ashtu Mali i Zi dhuron vaksina antiCOVID-19 për Forcën e Sigurisë së Kosovës

Sipas një deklarate të këtij grupimi politikë, dhënia e vaksinave për Kosovën “nuk është aspak i rastësishëm”.

“Ne gjithashtu ju kujtojmë se [Zdravko] Krivokapiq dhe [Aleksa] Beçiq gjatë muajve të fundit e kanë njohur shtetin e Kosovës më shumë se dhjetë herë”, thuhet në deklaratë.

Fronti Demokratik është bashkim i Partisë Demokracia e Re Serbe (NSD) dhe asaj Lëvizja për Ndryshim (PZP). Në zgjedhjet e fundit, fronti ka fituar 18 vende nga 81 deputet sa ka Kuvendi i Malit të Zi.

Ky front mbron interesat serbe në Mal të Zi, duke proklamuar euroskeptizimin dhe populizmin. /Telegrafi/