Site icon Telegrafi

Frikë nga ikja e investitorëve të huaj

Kosova nuk po arrin të krijojë ambient të përshtatshëm për tërheqjen e investimeve direkte ndërkombëtare. Jo-stabiliteti ekonomik dhe politik, sipas njohësve të çështjeve ekonomike, ka bërë që investitorët ndërkombëtarë të mos e shohin Kosovën vend atraktiv për investime.

Nga hulumtimet e shumta të bëra nga shoqatat ekonomike, është vlerësuar se barrierat në të bërit biznes, siç është niveli i lartë korrupsionit, mungesa e politikave më të favorshme fiskale, si dhe evazioni fiskal, kanë ndikuar që shumë investitorë të mos shtrijnë kapitalin e tyre në Kosovë. Madje ekziston frika se investitorët në mungesë stimulimeve nga shteti për zgjerim dhe siguri të investimeve si alternativë shohin bartjen e kapitalit në vendet tjera fqinje. Megjithëse, viteve të fundit shumë investitorë janë ankuar për trajtimin që u bëhet nga institucionet e Kosovës dhe kushtet që u ofrohen për të bërë biznes.

Zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, theksojnë se nuk është vërejtur ndonjë rritje e numrit të ankesave të investitorëve. Madje, sipas tyre, përkushtimi i Qeverisë për përmirësimin e klimës së të bërit biznes, ka ndikuar në rritjen e besimit të investitorëve, duke theksuar se ka rritje të investimeve në pjesën e parë të këtij viti. Sidoqoftë në fillim të vitit 2015, investitorë nga Turqia, Zvicra e Gjermania investuan rreth 87 milionë euro në Kosovë. Me këtë shifër po krenohen udhëheqësit e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë si rritje e të investimeve të huaja në vend që vitin e kaluar në këtë kohë ishin 100% më pak.

Por, kjo shifër është shumë lag asaj që i nevojitet Kosovës dhe interesimit që kishin afaristët e huaj për vendin 8 vite më parë.

Në vitin 2007 Kosova llogariste 470 milionë euro investime të huaja direkte, ndërsa në vitin 2014 151.3 milionë euro. Njohësit e ekonomisë thonë se Kosova ende nuk ka arritur t’i josh investitorët e huaj dhe të krijojë kushte që ata të shohin interes për të derdhur mjetet e tyre këtu. Sipas anketave të bëra nga organizata ndërkombëtare, hezitimi për të investuar në Kosovë vjen nga mjedisi ekonomik, korniza ligjore, korrupsioni, mungesa e garancive për investime, rreziku politik, mungesa e përkrahjes nga institucionet qeveritare.

Besian Mustafa, drejtor i përgjithshëm i Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), ka thënë se gjatë këtij viti KIESA është duke u ofruar shërbime të ndryshme kompanive përgjatë procesit të investimit të tyre. Këto kompani, sipas tij, janë nga Gjermania, Zvicra, Kanada, Koreja e Jugut nga sektorët e energjisë së ripërtërishme, prodhime farmaceutike, lëkure, produkte organike etj. Bazuar në të dhënat e Agjencisë për Regjistrim të Biznesit në Kosovë (ARBK) numri i bizneseve me pronarë të huaj të regjistruara gjatë periudhës janar – qershor 2015 janë 211, nga shtetet; Shqipëri, Turqi, Zvicër, Gjermani, Itali, SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Austria etj. kryesisht nga sektorët tregti, procesim, ndërtim, telekomunikacion, veprimtari shërbyese etj. Mustafa pohon se Kosova ofron kushte të favorshme për investitorët e huaj, si: fuqia punëtore e re dhe e motivuar, tregu i lirë dhe qasja pa tarifa doganore në tregun e bashkimit evropian, taksat ndër më të ulëta në Evropë si dhe procedurat e lehta të bërit biznes.

“Qeveria e Kosovës është duke punuar që të krijojë një ambient biznesi më të mirë në Kosovë. Tashmë është hartuar edhe pako e re fiskale, e cila së shpejti pritet të aprovohet dhe të hyjë në fuqi, përmes së cilës pako pritet të stimulohen investimet. KIESA mbetet e përkushtuar në mbështetje të investitorëve duke i ofruar ndihmë në grumbullimin e informatave lidhur me fushën e investimeve që ata synojnë për të investuar në Kosovë, në procedurat e regjistrimit të biznesit, informata për legjislacionet që kanë të bëjnë me IHD-të, informata specifike makro-ekonomike, si dhe shërbime tjera të nevojshme për realizimin e investimit të tyre”, ka thënë Mustafa për revistën “Ekonomia”.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë/Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë ai thotë edhe më tej do të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë me të gjitha palët e interesit me qëllim të promovimit të Kosovës dhe tërheqjen e investimeve të huaja përmes aktiviteteve të ndryshme dhe mbështetjes së kompanive të cilat veprojnë në Kosovë. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), investimet e huaja direkte janë paraqitur vetëm për tremujorin e parë (TM1-2015).

Bazuar në këto të dhëna investimet e huaja direkte në Kosovë për TM1-2015 janë 87.10 milionë euro. Gjatë vitit 2014 vlera e investimeve të huaja direkte ishte 151.3 milionë euro. Mirëpo, nëse e krahasojmë periudhën e njëjtë të vitit të kaluar TM1-2014 ku vlera e investimeve ishte 42.7 milionë euro me këtë vit TM1-2015 kemi një ngritje të investimeve. Shtetet të cilat kanë investuar vlerat më të mëdha gjatë periudhës TM1-2015 janë nga: Turqia, Zvicra, Gjermania, Austria, Shqipëria, Mbretëria e Bashkuar, SHBA, Sllovenia etj. Gjatë vitit 2014 vlera e IHD-ve në Kosovë ishte 151.3 milionë euro, në vitin 2013 ishte 280.2 milionë euro, ndërsa gjatë vitit 2012, IHD-të ishin 229.1 milionë euro. Sipas këtyre të dhënave zyrtare shihet tkurrje e vazhdueshme investimeve të huaja ndër vite, gjë që Kosova ka shumë nevojë për zgjerimin e kapitalit të investitorëve të huaj aktualë dhe shtrimit të investimeve të investitorëve potencialë.

Lekë Musa, njohës i fushës së ekonomisë vlerëson se problemi i mungesë së investime të huaja është tek problemet që ata hasin në ambientin e Kosovës. Sipas tij kompanitë e huaja me të ardhur në Kosovës do të ballafaqohen me barriera banale.

Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, ka thënë se është krijuar një ambient dhe një situatë, e cila më tepër është demotivuese për investitorët e huaj dhe demotivues për ata investues që janë në Kosovë. Sipas tij, është krijuar një realitet i hidhur në përditshmërinë kosovare dhe ajo çka është më interesantja është fakti se pothuajse në vitin 2015 çdo gjë është vetëm Gjykatë Speciale. “Nuk jemi kundër arritjes së këtij vendimi në Parlamentin e Kosovës që të krijohet Gjykata Speciale, mirëpo krahas speciales, Qeveria e Kosovës e faktori ndërkombëtar duhet të luftojnë edhe për sfidat tjera të cilat ballafaqohet Kosova, e ato janë sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik, aspekti social e përmirësimi i ambientit biznesor për investitorët e huaj dhe mos të ketë më prolongim të zbatimit të pakos fiskale”, ka thënë Gërxhaliu. /RevistaEkonomia/Telegrafi/

Exit mobile version