Site icon Telegrafi

Shoqëria Civile: Nga frika se po humbin vota, partitë politike nuk po e përmendin Kodin Civil në fushatë

Partitë politike po hezitojnë të shprehin qëndrimet e tyre sa i përket Kodit Civil. Ani pse temë shumë e diskutuar në qeverisjen e kaluar, nuk ka zënë vend edhe në tubime e takime elektorale. Kjo po ndodhë nga frika se mund të humbasin elektorat, thonë organizata që monitorojnë fushatën zgjedhore.

Në legjislaturën e kaluar ka dështuar të miratohet Kodi Civil në Kuvendin e Kosovës.

Institucioni i Avokatit të Popullit i ka thënë KosovaPress-it se Kodi Civil është një ndër aktet juridike me rëndësi të madhe.

“Kodi Civil është një ndër aktet juridike me rëndësi të madhe që ka për qëllim rregullimin e shumë çështjeve civile dhe mëton po ashtu përmirësimin e qasjes në drejtësi dhe fuqizimin e ligjit. Qytetarët do të kenë përfitime të shumta pasi që ky projekt-kod do të rregullojë shumë sfera të jetës si marrëdhëniet familjare, barazinë para ligjit, çështjet pronësore, përmirësimi i të drejtave të njeriut e shumë çështje tjera. Andaj, projekt-kodi civil duhet të vihet në shërbim të qytetarëve sa më herët që është e mundur”, thuhet në këtë përgjigje.

Hulumtuesja e lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Violeta Haxholli thotë se Kodi Civil konsiderohet një nga ‘temat sensitive’, për çka partitë që garojnë në zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk po shprehin alternativë.

“Ka disa tema ma sensitive të cilat partitë politike me qëllim nuk po i përmendin shumë në fushatë. Ndër to është edhe çështja e Kodit Civil e cila ka qenë një temë shumë e diskutuar gjatë qeverisjes së kaluar. Por, që partitë politike nuk kanë preferuar që të shprehin ndonjë alternativë për këtë çështje apo nuk kanë dashur të përmendin se si do t’i qasen kësaj teme. Natyrisht që Kosova ka nevojë që ta kodifikojë procedurën civile ashtu siç është e kodifikuar procedura penale. Dhe është fatkeqësi që nuk kemi arritur ta bëjmë këtë në qeverisjen e kaluar. Dihet që qeveria e re, cila do që të jetë ajo, do ta ketë prapë në tavolinë këtë si detyrë dhe do të ishte mirë që të dëgjojmë nga subjektet politike se si do t’i qasen kësaj teme”, deklaron Haxholli.

E gjithë kjo po ndodhë, siç thotë Haxholli, nga frika se do të humbasin vota ditën e zgjedhjeve.

“Tema të ndryshme sensitive nuk prekën nga subjekte politike gjatë fushatës sepse natyrisht subjektet politike kalkulojnë gjatë fushatës zgjedhor. Dhe ata shpalosin tema të cilat prekin atë sentimentin qytetar, siç është veriu i vendit, apo rritja e pagave, mirëqenia e kështu me radhë. Por, për shembull hezitojnë të përmendin çështje të cilat mund të reflektohen pastaj në zvogëlim të votave, e këtu hyn krijimi i Asociacionit apo çështja e Kodit Civil apo shamive në shkolla e tema të tjera. Ndonëse janë diskutuar shumë në katër vitet e kaluara, partitë me qëllim dëshirojnë që të mos i përmendin ato në mënyrë që të mos humbin vota potencialisht në ditën e zgjedhjeve”, shprehet ajo.

Me miratimin e Kodit Civil do të ofrohet drejtësi për qytetarët, konsideron Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

“Partitë politike gjithçka po e masin me vota, se si mund të reflektojë qytetari në ditën e zgjedhjeve nëse miratohet ose jo Kodi Civil. Dhe në anën tjetër partitë politike fatkeqësisht nuk po gjejnë kohë dhe nuk po duan t’i tregojnë, dëshmojnë popullit pse është i rëndësishëm Kodi Civil. Kodi Civil pas Kushtetutës mund të konsiderohet si një ndër ligjet më të rëndësishme në vend, në një shtet normal sepse i rregullon kryesisht raportet juridike, pasurore, familjare, krejt çështjet civile në një shoqëri. Nëse qytetarët sot i kanë mbi 200 mijë lëndë në gjykatat e Kosovës, mbi 70 për qind të lëndëve i takojnë drejtësisë civile që i rregullon ky kod. Tash nëse ky kod do të hynte në fuqi do ua lehtësonte punën gjyqtarëve, do të ndërtonte praktika e standarde të reja të cilat do t’i ofronin më shumë drejtësi qytetarëve”, shprehet ai.

Projekt-Kodi Civil me mbi 1 mijë nene, Miftaraj shton se është fokusuar vetëm në dy dispozita.

“Krejt Kodi Civil është fokusuar në një dispozitë, dy dispozita që ndërlidhen kryesisht më të drejtat kushtetuese që ofron Kushtetuta komuniteteve, se komunitet LGBTIQ+. Partitë politike po e kanë frikën nëse mund ta humbin votën e qytetarëve që një far forme kanë ndjenja apo janë kundër martesave të gjinisë së njëjtë”, shton Miftaraj.

Mënyra se si po trajtohet Kodi Civil nga politika, Medinë Dauti nga organizata “Qikat”, e konsideron të dëmshme.

“I kemi dy krahje, dy anë se si po trajtohet Kodi Civil, specifikisht martesat mes seksit të njëjtë dhe gjithçka që po vjen përmes Kodit Civil. E kemi krahun që po e përdorin gjuhën kundër dhe që po bëjnë fushatë me atë, dhe e kemi pjesën më të madhe të kandidatëve për kryeministra dhe kandidatëve për deputet që veç e injorojnë si temë dhe nuk flasin hiç për Kodin Civil. Nëse dikush i pyet specifikisht se çfarë mendojnë për këtë, veç japin ose qëndrime konservatore edhe super patriarkale që njihet vetëm një funksion i familjes ose vetëm nuk diskutojnë fare për këtë. Kjo është shumë e dëmshme sidomos është më e dëmshme kur përdoret gjuha kundër LGBTQI+ edhe kundër Kodit Civil dhe promovohet si diçka që është e keqe për shoqërinë”, thekson ajo.

Kundërshtimet më të zëshme ndaj projekt-Kodit Civil lidhen me nenin që do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i “bashkësive civile”, mes personave me gjini të njëjtë.

Exit mobile version