Site icon Telegrafi

Frika nga coronavirusi, amerikanët në masë të madhe largohen nga qytetet për të jetuar në periferi – kërkojnë shtëpi në zona me pak njerëz

Ben Greenzwig planifikonte të ndërronte banim me gruan dhe tre fëmijët në jug të SHBA-ve, kurse ky plan i tij do të mund të përshpejtohet për shkak të pandemisë së coronavirusit.

Drejtori ekzekutiv dhe njëherit themelues i kompanisë Momentum Event Group, thotë se dëshiron të shpërngulet në Karolinën e Veriut apo atë të Jugut dhe të ikë nga Nju Jorku, për shkak të shpenzimeve më të vogla dhe hapësirës më të madhe për të bërë jetë të qetë dhe larg frikës nga kriza afatgjate që do të mund të ndikonte që të detyronte qytetarët të paguajnë taksa më të larta, transmeton Telegrafi.

Pothuajse një e treta e amerikanëve po mendojnë të transferohen në zona më pak të banuara për shkak të pandemisë, tregojnë të dhënat e fundit e Harris Poll. Ky fakt paralajmëron se mund të ketë ndryshim dhe ndikim të madh në shitjen e pronave të paluajtshme apo në çmimin e shtëpive. Qytetarët nga zonat urbane janë në kërkim të gjetjes së shtëpive të reja jashtë qyteteve të mëdha.

“Njerëzit do të jenë shumë më të kujdesshëm kur jetojnë në zona me densitet të lartë, me aq shumë njerëz afër vetes”, parashikon Laërence June, kryekonomisti i Shoqërisë Kombëtarë të Pasurive të Patundshme.

Zonat periferike çdo herë e më shumë janë duke u bërë më të famshme sesa qendrat e qyteteve, dhe pikërisht për këtë arsye ka vendosur që të largohet dhe Greenzwig.

Lee-Sean Huang, 39-vjeç që gjatë 14 viteve të fundit jetoi në Manhattan, është arratisur përkohësisht në Sang Harbour, një fsha në Long Island të New Yorkut.

“Gjërat që e bëjnë jetën në Manhattan më tërheqëse aktualisht nuk janë në dispozicion. Baret dhe restorantet janë të mbyllura”, thotë ai.

Ai kryesisht ka punuar në distancë duke dhënë mësim në Universitetin e New Yorkut (NIU) dhe në Parsons në shkollën e Arteve Pamore. Gjithashtu është themelues dhe drejtor kreativ i Foss, studio e projektimit.

Përveç dendësisë së popullsisë, amerikanët gjithashtu duan të shmangin ashensorët ku mund të takohen me persona potencialisht të infektuar.

Pasanikët e New Yorkut tani nuk po pyesin për çmimet e shtëpive me oborr. Megjithatë, ka edhe prej atyre që po e mendojnë se shpërngulja masive nuk do të ndodhë, dhe kur flasin për këtë marrin shembullin e 11 shtatorit. Pas sulmit terrorist, ka pasur rritje të emigrimit, por qytetarët sërish u rikthyen në shtëpitë e tyre.

Qendrat e qyteteve viteve të fundit janë gjallëruar kjo për shkak të mijëvjeçarëve. Megjithatë, jeta pas pandemisë do të mund të ndryshonte atë dinamikë.

Agjentët e pronave të paluajtshme thonë se tashmë ka pasur më shumë interesim për jetesë në periferi në veçanti tek ata persona që jetojnë në New York, epiqendra e pandemisë së COVID-19 në Shtetet e Bashkuara, që tregon se më shumë njerëz mund të kërkojnë shtëpi familjare jashtë zhurmës dhe zonave urbane.

Por, blerësit potencialë mund të përballen me pengesa në kohën kur janë rritur kërkesat dhe pandemia ka ndikuar në gjendjen e tyre financiare, siç janë ulja e pagave apo përgjysmimi i orarit të punës. /Telegrafi/

 

Exit mobile version