Megjithatë, Fried, në një konferencë për media, të mbajtur të premten, e mori me rezervë idenë e shprehur, se përplasja mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për Kosovën është e paevitueshme. Ai tha se zyrtarët amerikanë shpresojnë për një zgjidhje të statusit përfundimtar të Kosovës, e cila të jetë ‘praktike, serioze dhe që ta çojë mbarë rajonin përpara’.
‘Ne shpresojmë së tepërmi që bashkësia ndërkombëtare ta mbështesë zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës në një mënyrë, e cila të jetë praktike dhe serioze dhe që ta çojë rajonin përpara’, ka thënë Fried, njofton Zëri i Amerikës.
Është e logjikshme, tha zoti Fried, që për çështjen e Kosovës, duhet të përparojmë me shpejtësi, që pas përfundimit të aftit të 10 dhjetorit të negociatave, të kemi gati një vendim. Pas përfundimit të afatit të dhjetori, sipas tij, nuk ka kuptim të vazhdohen më negociatat, pasi të gjitha çështjet janë bërë tashmë të njohura’.
Takimi “dy plus dy” mes sekretares Rice, sekretarit Gates dhe homologëve të tyre rusë do të zhvillohet nga 12-13 tetorit në Moskë.
Di Carlo: Pavarësia e Kosovës është e paevitueshme
Edhe zv/ndihmës-sekretarja e shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Rosemary DiCarlo ka deklaruar se pavarësia e Kosovës është e pashmangshme dhe ka shtuar se nëse deri më 10 dhjetor nuk arrihet një marrëveshje për statusin, sipas SHBA-së, Plani Ahtisaari mbetet zgjidhja më e mire për të ardhmen.
Di Carlo i bëri këto komente para nisjes për një turne në Ballkan në kuadër të Kartës së Adriatikut.
Zyrtarja amerikane theksoi se Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara në procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës. Ajo shprehu shpresën që ky proces të japë rezultat deri në datën 10 dhjetor kur Grupi i Kontaktit do t’i raportojë sekretarit të përgjithshëm të OKB-së.
Ajo nuk pranoi të spekulonte se çfarë mund të ndodhë nëse nuk arrihet në përparim, ose nëse shqiptarët e Kosovës ashtu siç kanë paralajmëruar do të shpallin pavarësinë në mënyrë të njëanshme.
Megjithatë ajo theksoi se status-quoja mbetet e paqëndrueshme dhe e papranueshme dhe si e tillë, ajo theksoi se nëse nuk arrihet një zgjidhje deri në fund të këtij viti, Shtetet e Bashkuara i përmbahen qëndrimit që Plani Ahtisaari mbetet rruga më e mirë përpara.
Ajo theksoi se, pavarësia, ashtu siç ka thënë edhe sekretarja amerikane e Shtetit, është e paevitueshme dhe mbetet zgjidhja më optimale si për Kosovën, ashtu edhe për mbarë rajonin.
NYT: Thirrje Washingtonit dhe Brukselit të njohin pavarësinë e Kosovës
Ndërkohë gazeta New York Times u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Evropës të njohin pavarësinë e Kosovës.
Përmes një artikulli redaksional në numrin e saj të premten, gazeta Neë York Times shkruan se Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve të Bashkimit Evropian që favorizojnë pavarësinë, duhet të mbajnë një qëndrim të vendosur.
Nëse Rusia vazhdon të kundërshtojë planin e OKB-së, thekson gazeta, Washingtoni dhe aleatët e Amerikës, duhet të lëvizin me shpejtësi dhe ta njohin pavarësinë e Kosovës në kohë për afatin e 10 dhjetorit. Ka ardhur koha, shkruan gazeta, që të shërohet plaga e fundit e Ballkanit. /VoA/