Për herë të parë pas 60 vjet, Azia si rajon nuk do të regjistrojë ndonjë rritje ekonomike këtë vit.
Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, kjo do të jetë për shkak të pandemisë së COVID-19.
“Kjo është një krizë si asnjë tjetër, madje edhe më keq sesa kriza botërore financiare dhe Azia nuk është imune. Ndërsa ekziston një pasiguri e madhe në lidhje me perspektivat e rritjes së vitit 2020 dhe akoma më shumë në lidhje me perspektivën e vitit 2021, ndikimi i Coronavirusit në rajon do të jetë i rëndë dhe i pashembullt”, tha Chang Yong Rhee, drejtor i Departamentit të Azisë dhe Paqësorit në FMN.
Azia ka qenë ndër rajonet me rritjen më të shpejtë në botë. Gjatë krizave të mëparshme të tilla si kriza financiare aziatike në 1997 dhe kriza globale financiare rreth 2008-2009, rajoni ende regjistroi norma mesatare të rritjes prej 1.3 për qind dhe 4.7 për qind.
Por pandemia e Coronavirusit, e cila ka infektuar më shumë se 2 milionë njerëz dhe ka vrarë mbi 130 mijë të tjerë, ka ndaluar pjesën më të madhe të aktivitetit ekonomik botëror, pasi autoritetet bllokojnë qytetet për të frenuar sëmundjen që përhapet me shpejtësi. /Telegrafi/