Site icon Telegrafi

Freedom House: Qytetarët e Maqedonisë së Veriut të zhgënjyer nga elitat politike!

Demokracia në Maqedoninë e Veriut është në vendnumëro, ka polarizim të thellë politik dhe bllokime në Kuvend që pengon miratimin e ligjeve, kurse qytetarët gjithnjë e më pak kanë besim tek institucionet. Këto janë konkluzionet kryesore për vendin në raportin më të ri të “Freedom Houese”. Në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, qytetarët janë të zhgënjyer nga elitat politike.

Maqedonia e Veriut, vitin e kaluar, ka shënuar progres demokratik – thuhet në Raportin më të ri “Kombet në tranzicion të “Freedom House”. Vendi ka marrë notën 3.86 për progres demokratik, për dallim nga raporti paraprak kur ishte vlerësuar me 3.82.

“Në RMV vërehet polarizim i fuqishëm politik dhe bllokime parlamentare që pengojnë miratimin e ligjeve në nivel kombëtar. Ka përmirësime në transparencën e autoriteteve, pjesëmarrjen civile dhe bashkëpunimin ndërkomunal që ka ndikim pozitiv ndaj demokracisë dhe shërbimeve publike”, thuhet në raportin e FREEDOM HOUSE.

Në raportin e “Freedom House”, siç njofton “KlanM”, potencohet edhe zhgënjimi i qytetarëve të Ballkanit Perëndimor lidhur me aderimin në BE. Raporti thekson se BE-ja duhet ta rishqyrtojë qasjen e saj dhe sërish të angazhohet në mënyrë të sinqertë.

“Qytetarët e Ballkanit Perëndimor ndjehen të braktisur nga elitat vendore që kundërshtojnë reformat demokratike dhe nga elitat ndërkombëtare që janë të pavendosur për ta ndjekur procesin e aderimit”, thuhet në raportin e FREEDOM HOUSE.

Të dhënat e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim tregojnë se rreth 1/5 e popullatës së Ballkanit Perëndimor jeton jashtë vendit.

“Duke marrë parasysh krizën e besimit që paraqet ky eksod, ndoshta nuk është befasi që institucionet demokratike vazhduan me vendnumëro në vitin 2022”, thuhet në raportin e FREEDOM HOUSE.

Në Raport, vendet që nuk janë anëtare të BE-së, janë vlerësuar si regjime hibride të pozicionuar në zonën gri midis demokracisë dhe autokracisë.

Raporti përmend se proceset e shterura për aderim të Ballkanit Perëndimor në BE po rrisin zhgënjimin dhe ulin fuqinë e BE-së të nxisë reforma.

Exit mobile version