Site icon Telegrafi

“Freedom House”: Maqedonia e Veriut shënon rënie në luftën kundër korrupsionit

Maqedonia e Veriut ka bërë hapa prapa në qeverisjen e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit thuhet në raportin e “Shtetet në tranzicion” (Nations in Transit) të organizatës “Freedom House”. Vlerësimi në raport vëren rënie nga viti i kaluar nga 3.86 në 3.79.

Në raport thuhet se shpresat u shtuan në vitin 2017 pas largimit nga pushteti të kryeministrit antidemokrat Nikolla Gruevski, por nuk janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për eliminimin e rrjeteve korruptive.

Gjithashtu theksohet se as Gruevski dhe as bashkëpunëtorët e tij më të afërt nuk janë vënë para drejtësisë për keqpërdorime të detyrës.

“Për dallim nga Ukraina dhe Moldavia, Maqedonia e Veriut nuk ka ndërmarrë veprime konkrete për eliminimin e rrjeteve korruptive, dhe pushteti vazhdoi të luhatet mes koalicioneve të të njëjtave grupe partish”, thuhet në raport.

“Vlerësimi për kornizën gjyqësore dhe pavarësinë ka rënë nga 3,25 në 3,00 për shkak të performancës së dobët të Këshillit Gjyqësor Shtetëror dhe akuzave për nepotizëm në emërimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve”, thuhet në raport.

Më tej shtohet se gjyqësori është ende një nga institucionet më të kritikuara dhe më të pabesuara në Maqedoni. Ka pasur polemika për shkarkimin e kryetarit të Këshillit të Gjyqtarëve, emërimin e prokurorëve të rinj dhe gjyqtarëve me lidhje familjare.

Maqedonia e Veriut është në grupin e hibrideve ciklike së bashku me Bosnjën, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Armeninë, ndryshe nga Kosova, Ukraina dhe Moldavia që janë në grupin e hibrideve demokratizuese. Serbia, Hungaria dhe Gjeorgjia janë në grupin e hibrideve autokratike./Telegrafi/

Exit mobile version