Telegrafi

Fredi Beleri lihet në burg, Berisha: Akt stalinist i Edi Ramës

Vendimi e Gjykatës për të vlerësuar të ligjshëm arrestin në flagrancë të Fredi Belerit është cilësuar si i gabuar nga ana e avokatit të tij, Geni Gjyzari, i cili akuzoi edhe policinë për veprimet e saj.

“Ne këtë i kërkuam gjykatës, që nuk ishim në kushtet e flagrancës, madje simulim i policisë, nga një individ që policia i përdor rëndom si në kohën e komunizmit. Kjo është akuzë politike dhe montim politik”, tha avokati.

Avokati citoi edhe vetë kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” që të ketë hedhur poshtë akuzat në seancë.

“Në asnjë moment nuk u provua akuza, as ekzistenca e listave”, e citoi avokati. “Ai ishte duke dalë jashtë lokalit dhe mënyra e rrëmbimit provoi se nuk iu gjet asgjë”.

Avokati sqaroi se Beleri do të transferohet tashmë në Tiranë, për shkak se çështja i kaloi për kompetencë Gjykatës së Posaçme. Sipas tij, brenda 10 ditësh Gjykata e Posaçme do të vendosë mbi ligjshmërinë e masës së arrestit.

Kreu i PD-së, Sali Berisha ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Vlorës që dha masën arrest me burg për Fredi Belerin.

“Akt stalinist i Edi Ramës. Ai, për interesa të tij mafioze, urdhëron mbajtjen në burg të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” të rrëmbyer në mesnatë nga narkopolicia, Fredi Bejleri për të siguruar kështu vazhdimin e kontrollit të tij mafioz, të plotë mbi trojet dhe tokat e banorëve të Himarës”.

“Duke dënuar me forcën më të madhe këtë akt të shëmtuar policesk, ju bëj thirrje banorëve të Bashkisë Himarë, të dalin të gjithë në votime dhe të votojnë për mbrojtjen e pronave të tyre nga Edi Rama dhe banda e tij në bashkinë e Himarës”, shkruan Berisha në Facebook.